Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pret që presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump, të rrisë presionin mbi shpenzimet relativisht më të ulëta të mbrojtjes nga aleatët evropianë, përfshirë Gjermaninë, raportoi të hënën agjencia gjermane e lajmeve dpa.
“Ai do të dëshirojë që ne të bëjmë më shumë,” deklaroi Rutte në një intervistë për dpa.
Anëtarët e NATO-s janë zotuar të investojnë të paktën 2% të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB) në mbrojtje. Shumë nga aleatët evropianë tashmë e kanë arritur këtë objektiv, theksoi Rutte.
Megjithatë, pas katër ose pesë vitesh, do të jetë një problem për të frenuar Rusinë nëse këto shpenzime nuk rriten më tej, shtoi ai.
Rutte nuk specifikoi nëse aleatët e NATO-s duhet të synojnë shpenzime ushtarake prej 3% të PBB-së ose edhe më shumë.
Një vendim për angazhime të reja mbi shpenzimet pritet të merret në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor 2025.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump ka deklaruar se ai e sheh të nevojshme rritjen e angazhimeve të vendeve të NATO-s në nivelin 3% të PBB-së së tyre.
Së fundmi, ka pasur raportime që sugjerojnë se Trump mund të kërkojë madje një prag prej 5%.
Sipas Trump-it, aleatët evropianë të NATO-s bëjnë shumë pak për mbrojtjen dhe mbështeten shumë te mbrojtja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara. Gjatë mandatit të tij të parë, ai madje kërcënoi se do ta largonte SHBA-në nga NATO për shkak të shpenzimeve të ulëta të evropianëve.
Sipas dpa, Gjermania ka rritur ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes kohët e fundit, por vetëm këtë vit do të arrijë një përqindje prej rreth 2.1% të PBB-së.
Nga ana tjetër, SHBA investon vazhdimisht mbi 3% të PBB-së në buxhetin ushtarak.