Nagip Krasniqi, i etiketuar si “Njeriu i Vetëvendosjes”, ka një histori të gjatë të lidhjeve të tij me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), partinë e Albin Kurtit që aktualisht është në pushtet.
Ai është i njohur në vend falë lidhjeve të tij të ngushta me Lëvizjen Vetëvendosje, ku edhe u shërbye me pozita të rëndësishme.
Një nga rolet e tij më të spikatura ka qenë drejtimi i Komitetit për Energji në LVV, një organ këshillues brenda partisë, sipas statutit të këtij subjekti.
Lidhjet e tij me Vetëvendosjen dhe marrëdhëniet e ngushta me udhëheqësin e partisë, kryeministrin aktual Albin Kurti, i kanë dhënë Krasniqit ndikim të konsiderueshëm.
Pavarësisht kësaj lidhjeje të ngushtë me LVV-në, Krasniqi ka theksuar publikisht se nuk është anëtar i partisë.
Megjithatë, ai ka vazhduar të gëzojë mbështetje dhe avancime në karrierë, të cilat janë parë si një pasqyrim i afërsisë së tij Vetëvendosjen.
Ai është parë rregullisht në takime me figura kyçe të partisë, që nga koha e Visar Ymerit e deri te takimet me zëvendëskryeministrin aktual, Besnik Bislimi.
Pozita në KEK e “telashet” me drejtësi
Lidhjet e tij me LVV-në kulmuan më 4 tetor 2021, kur Krasniqi u emërua kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), një nga ndërmarrjet më të mëdha dhe më të rëndësishme publike në vend.
Emërimi i tij në këtë pozicion u bë nga Bordi i përkohshëm i KEK-ut nëpërmjet një konkursi në të cilin konkurruan 38 kandidatë të tjerë.
Ky emërim kishte nxitur debat të madh, duke pasur parasysh përfshirjen e tij të gjatë me LVV-në dhe ndikimin që partia ka pasur në këtë vendim.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi sikur “vaji në tepsi”, deklaratë kjo e dhënë nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Më 19 prill 2024, Nagip Krasniqi u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Rasti përfshin dy kontrata njëburimore në vlerë 3.5 milionë euro.
Ndërkohë, 6 ditë më vonë, më 25 prill, Bordi i KEK-ut e pezulloi Nagip Krasniqin nga detyra e kryeshefit të kësaj korporate.
Krasniqi pas arrestimit ka qëndruar në paraburgim për rreth 5 muaj. Pas lirimit, atij iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.
Krasniqi, në letrën përshëndetëse ka thënë se “nuk ka arritur ta përmbush plotësisht objektivin e tij, porse ka lënë disa gjurmë të mira”.
“Ne nuk ia dolëm plotësisht në objektivin tonë përfundimtar. Ne humbëm disa beteja kyçe përgjatë rrugës, kemi humbur disa njerëz të mirë, dështuam të fitojmë…dhe këto janë disa nga shijet e mia të hidhura që i mora me vete. Por, ne lamë pas vete disa gjurmë të mira, dhe rrënjosëm thellë idenë dhe konceptin se ndryshimi dhe transformimi është i mundur. Po ashtu lamë prapa disa njerëz vërtetë të mrekullueshëm që do të vazhdojnë ndryshimit dhe përfundimisht do ta kompletojnë transformimin”, kishte shkuar Krasniqi në “LinkedIn”.
Më 19 gusht, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Siç ka raportuar Paparaci, aktakuza ndërlidhet me mospërfillje e rekomandimeve të ZRRE-së, zyrës ligjore të KEK-ut e grupit punues për ndërprerje të tregtimit të rrymës me kompani të palicencuara, dëm prej 3.2 milionë euro për KEK-un, shmangie tatimore prej 531,920,79 euro, destabilizim të tregut e diskriminim të operatorëve të licencuar.