Politikani shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka deklaruar se shteti serb nuk ofron drejtësi për komunitetin shqiptar, duke u shprehur se kjo çështje duhet të jetë problematike edhe për Bashkimin Evropian.
Sipas Mustafit, drejtësia dhe gjykatat në Serbi janë peng të politikës, derisa ka shtuar se ndikimet e mëdha politike janë evidentua edhe në Raportin e Progresit.
“…Kjo tregon se në Serbi drejtësia është selektive, e njëanshme dhe është peng i politikës. Kur Këshilli Kombëtar Shqiptar e vë para drejtësisë një ministër serb, atëherë drejtësia vetëm sa tërhiqet. Kjo është konfirmuar edhe në Raportin e Progresit, të fundit për Serbinë, që vë theksin se drejtësia dhe gjykatat janë probleme të mëdha për Serbinë për shkak të ndikimeve politike”, ka deklaruar ai në “Interaktiv” të KTV-së të hënën, derisa komentonte padinë ndaj zëvendësministrit serb, Aleksandar Vulin, që Mustafi e ka bërë për ofendim.
Mustafi tha se termi “siptari” i përdorur nga Vulin, sipas vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë nuk është ofenduese.
“Në vendim thuhet se s’ka pasur qëllim nxitjen e dhunës dhe të mosdurimit. Gjykata s’është lëshuar në mendim subjektiv se çka ka pasur për qëllim Vulin. Është e vështirë të ofrohet drejtësia. Serbia nuk ofron drejtësi e barazi për komunitetin shqiptar”, ka shtuar ai.
Duke folur për pasivizimin e adresave të vendbanimeve në Luginë të Preshevës, Mustafi ka thënë se komuna më e prekur është ajo e Medvegjës.
Politikani shqiptar tha se edhe familja e tij është prekur nga pasivizimi i padrejtë i adresave.
“Mbi 4.000 adresa shqiptare në Medvegjë janë pasivizuar, por ende s’kemi të dhëna të sakta pasi institucionet e Serbisë refuzojnë të japin informacione të sakta për procesin e pasivizimit. Për shkak të aktivitetit tim politik është pasivizuar edhe djali im i madh. Tash edhe bashkëshortja. Është në proces të pasivizimit edhe djali im i dytë”, ka thënë ai.
Mustafi ka shtuar se më së shumti adresa të pasivizuara në Serbi ka në Luginë të Preshevës.
“Kur një qytetar pasivizohet, mbetet pa adresë e s’mund të nxjerrë letërnjoftim. E ka të pamundur të marrë shërbime sociale. S’mund të krijojë trashëgimi apo shërbime të tjera themelore, pa shtëpi, pa truall, pa tokë e pa mundësi për të trashëguar”, u shpreh ai.