E kishim shpresuar të gjithë ne një mrekulli, në mënyrë që Shqipëria të mund të kualifikohej në raundin tjetër, por Italia dhe Spanja na “zgjuan” nga ëndrra dhe na kthyen në realitet, duke na imponuar forcën e tyre. Menduam se mrekullitë në futboll nuk ekzistojnë, por për të na e ndryshuar mendjen u desh të vinte e mërkura në mbrëmje, kur Gjeorgjia mposhti Portugalinë e Cristiano Ronaldos dhe u kualifikua në 16 skuadrat më të mira, që në herën e parë të saj në finalet e një evropiani.
Çfarë skuadre, çfarë shpirti luftarak i treguar, karakteristika të një skuadre që besoi deri në fund dhe nuk u dorëzuar asnjëherë së shpresuari se mund të ishin surpriza e këtij kampionati. Në “qiellin” e 7-të pas këtij suksesi ishin trajneri Sagnol dhe “ylli” i kësaj skuadre Khvicha Kvaratskhelia.
“E kemi shumë të vështirë të besojmë atë që kemi realizuar, nuk kam fjalë. Di të them se jam krenar për këta djem dhe për faktin që unë i kam trajnuar”, u shpreh tekniku francez Sagnol. Ndërkohë më shumë se i emocionuar u shfaq edhe Kvaratskhelia në përfundim: Ishte meritë e grupit. Provuam se jemi të aftë të luajmë në këtë kompeticion. Krahasimi me titullin e fituar me Napolin? Sot jam më i lumtur padyshim, është shumë bukur të luash dhe të fitosh për vendin tënd. Kjo ishte dita më e bukur e jetës time. Po përjetoj një ëndërr”, përfundoi i përlotur futbollisti i Napolit.