Enea Jorgji ka histori të vazhdueshme me Partizanin, ku arbitri me stemën e FIFA-s është kontestuar shpesh nga klubi kryeqytetas.
Edhe në ndeshjen mbrëmshme me Vllazninë, Jorgji ka rezultuar jo fatsjellës për Partizanin, që në minutën e 48-të e la me një lojtar më pak ku ndëshkoi Zguron me karton të kuq për gjeste jo sportive kundër pankinës shkodrane. Në këtë rast i kuqi është i drejtë, por duke parë dinamikat dhe standardet që ndodhin shpesh në futbollin shqiptar, i kuqi edhe mund të kursehej, ndonëse bëhet fjalë për një lojtar (Vangjel Zguro), i cili i ka si abonim ndëshkimet.
Jorgji u tregua dorëlëshuar sa i përket kartonëve, pasi akordoi 10 të verdhë dhe një të kuq. Me atë standard që vendosi, kartonët duhet të ishin më të shumtë, ose disa prej të dhënëve duhet t’i kursente.
Nuk munguan edhe vendimet jo të sigurta, siç ishte në fund një mosakordim i një goditje këndi për Partizanin, ku gjuajtja e Bintsukës u devijua.
Në fund, në minutën e 98-të, të kuqtë pretenduan për një penallti pas shtyrjes së Zekës nga mbrojtës i Vllaznisë, Jago, kur ishte bërë gati të gjuante me një kthesë në ajër. Rast i dyshimtë, që nuk u konsiderua as nga VAR-i.