Kryeqyteti i Rusisë u vu në shënjestër natën e së martës ndaj të mërkurës nga një prej sulmeve më të forta me dronët ukrainas në historinë e tij, njoftoi të mërkurën kryetari i bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, raporton AFP.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjatë natës “11 dronë u shkatërruan” mbi territorin e Moskës dhe rajonit të saj.
“Ky është një nga tentativat më të mëdha të sulmeve me dron ndonjëherë kundër Moskës”, tha kryebashkiaku i kryeqytetit rus në një deklaratë në Telegram.
Të paktën tre dronë u rrëzuan në rrethin Podolsk të rajonit jugor të Moskës, pa shkaktuar lëndime apo dëme, sipas të njëjtit burim.
Sulmi me dron ndaj Moskës ndodhi në kontekstin në të cilin Rusia po përballet me një ofensivë të paprecedentë ukrainase në rajonin kufitar Kursk që nga 6 gushti.
Në total, gjatë natës nga e marta deri të mërkurën, 45 dronë ukrainas u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore mbi rajonet e Moskës (11), Briansk (23), Belgorod (6), Kaluga (3) dhe Kursk (2). Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë për shtyp.
Një raketë u rrëzua gjithashtu rreth orës 01:00 (22:00 GMT të martën) në rajonin perëndimor të Rostovit, në kufirin me Ukrainën, sipas guvernatorit rajonal Vasili Golubev.
Qyteti i Moskës dhe rajoni i tij, i vendosur mbi 500 kilometra nga kufiri me Ukrainën, rrallë janë shënjestruar nga sulmet me dron. Në verën e vitit 2023, dronët u shkatërruan mbi zonën e biznesit të kryeqytetit, dhe në maj 2023, dy drone u rrëzuan pranë Kremlinit.
Rusia po përballet me një ofensivë të vazhdueshme ndërkufitare nga forcat e Kievit për dy javë, ndërsa trupat ruse vazhdojnë avancimin e tyre në Ukrainën lindore.
Moska përjashtoi çdo negociatë me Kievin “në këtë fazë”.