Ftesa ishte për miting, por asaj iu përgjigjën vetëm rreth 20 serbë. Ata u mblodhën në territorin e Serbisë, afër pikëkalimit kufitar në Jarinjë. Në mesin e kërkesave drejtuar Beogradit zyrtar, ishte edhe ajo për “okupimin e Kosovës”.
Të paktë në numër kanë qenë qytetarët serbët që të shtunën u mblodhën në Jarinjë matanë kufirit të Kosovës me Serbinë, në “mitingun” e paralajmëruar për të kundërshtuar veprimet e Qeverisë në veri.
Thirrjes për këtë lloj proteste, e cila u mbajt në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, iu përgjigjën vetëm rreth 20 protestues.
Se numri i tyre ishte i ulët tregoi edhe një qytetar serb që gjatë ditës bëri hyrje nga Serbia për në Kosovë, nëpërmjet këtij pikëkalimi kufitar.
“Paj ashtu, nuk kam pritur shumë. Askush nuk më ka prekur. Nuk ka fort protestues. Ka pak. Pak”, ka thënë ai.
Në anën e Kosovës të pikëkalimit, situata ka qenë e qetë dhe pa kolona, pasi qytetarët e shmangën frekuentimin e tij për udhëtime, bazuar në udhëzimin e një dite më parë nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Pas paralajmërimit për shmangie të pikave kufitare me Serbinë, në Jarinjë qarkullimi i automjeteve gjatë ditës ishte me intensitet më të ulët.
E tërë kohës, krejt pranë pikëkalimit qëndruan tri vetura të EULEX-it, teksa përgjatë rrugës për në pikën kufitare u panë edhe ekipe të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës që e monitoronin situatën.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për veri, tha se protesta matanë kufirit ka përfunduar e qetë dhe se Policia ka ndërmarrë të gjitha masat që të mos ketë përshkallëzim të situatës.
“Sa ne e dimë se ka qenë një numër shumë i vogël, 7-8 vetë në pjesën serbe, mirëpo kjo nuk ka afektuar diçka në pikën tonë kufitare, në kalimin kufitar i cili është zhvillu pa probleme. Çdo gjë është zhvilluar si duhet. Çdo gjë ka qenë në rregull”, ka thënë Elshani. “Nuk kemi pasur ndonjë problem për ta theksuar. Rruga është e hapur, nuk kemi ndonjë problem në atë pikë kufitare. Veriu është i qetë dhe nuk kemi ndonjë problem sa i përket aspektit të sigurisë”.
Në protestën në mbështetje të serbëve të Kosovës u paraqitën dhjetë kërkesa për autoritete serbe, në mesin e të cilave ishte edhe “okupimi i Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Serbisë”.