Vrasja e një polici serb dhe plagosja e një tjetri, ka qenë kryetema e ditës së sotme në vend dhe rajon. Autoritetet e Serbisë kanë shpallur në kërkim kosovarin Artan Hajrizin, meqë në vendin e ngjarjes pretendojnë se janë gjetur pasaporta e tij e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe letërnjoftimi i lëshuar nga Gjermania. Për këtë rast, derisa tash janë arrestuar tre persona.
Autoritetet serbe kanë shpallur sot në kërkim kosovarin Artan Hajrizin, si të dyshuar për vrasjen e policit serb, 34-vjeçarit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e kolegut të tij, 50-vjeçarit Vjekoslav Iliq. Rasti ka ndodhur pas mesnatës në Loznicë të Serbisë, që gjendet afër kufirit me Bosnjën.
Hajrizi u kthye në të dyshuarin kryesor për këtë rast, meqë në vendngjarje, sipas autoriteteve serbe, u gjetën pasaporta e tij e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë.
Mediat serbe kanë raportuar gjatë gjithë ditës lidhur me prapaskenat se si ka ndodhur rasti. Sipas Nova.rs, ngjarja ndodhi pas mesnate, kur policët ndaluan një taksi me targa të qytetit të Tutinit që u dukej e dyshimtë, ku ndodheshin dy burra, shoferi dhe pasagjeri.
Sipas raportimeve, Policia identifikoi pasagjerët të cilët u janë dukur të dyshimtë dhe pastaj njëri prej policëve i ka kërkuar njërit prej personave në veturë që t’ia tregojë çantën. I njëjti raportohet se ka refuzuar ta bëjë këtë dhe se ka qëlluar në drejtim të policëve.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë publikoi pastaj edhe fotografi të Hajrizit, derisa në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë. I njëjti pas raportimeve të shumta nëpër media, kontaktoi disa media, ku tha se ai ndodhet në Gjermani dhe mohoi të jetëi i përfshirë në këtë rast.
Akuzat e vëllait
Për pasaportën dhe letërnjoftimin që iu gjetën në vendgjarja, Artan Hajrizi, tha se ia ka vjedhur vëllai i tij, Faton Hajrizi, i cili para dy javësh është arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.
“I deklarova që dokumentet që janë vjedhë, nuk kam të bëj sen me këtë punë. Dokumentet i ka marrë Fatoni se u kanë te unë ka nejt me do shokë, edhe dokumentet, edhe ka nejt 2 orë edhe mi ka marrë dokumentet. I ka vjedhë. Dokumentet i kam lajmëruar të humbur këtu. Unë nuk jam fajtor për këtë punë. Nuk kam qenë në dijeni që i ka marrë dokumentet, se ato të Gjermanisë nuk ia dha kërkujt. 15 vjet deri i kam bo dokumentet e me ia dhanë dikujt me mi prish për një ditë nuk e kam bo kurrë”, ka thënë Artan Hajrizi.
Ai ka treguar edhe fjalët që i kishte thënë vëllai i tij, Fatoni, i cili është shprehur se nuk do të dorëzohet dhe nuk do të mund ta kapin të gjallë, vetëm të vrarë.
Një sen e ka thanë, sdi a pe kuptoni, veç lule me më qit, se mu dorëzu nuk dorëzohna. Veç të vrarë munden me më kap, të gjallë jo. Unë nuk kam çka me thanë, as nuk më ngon mu, as nanën, as babën as kërkënd. Krejt me shkollë, njo po del haram. Nuk jem na të këtyne seneve”, tha Artan Hajrizi për Insajderin.
Edhe babai i tij, Mustafë Hajrizi, deklaroi se Artani ndodhet në Gjermani.
“Fatoni i ka bërë ato punë, pasaportën e tij [Artanit] ia ka marrë, u shku në Gjermani atje ia ka marrë”, citohet të thënë Mustafë Hajrizi.
Pretendimet e Serbisë
Pas deklaratës së Artan Hajrizit, reagoi Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.
Ai ka pretenduar se deklarimet e Artan Hajrizit, se vëllai i tij Fatoni ia ka marrë dokumentacionet në Hanover të Gjermanisë janë të rreme.
“Personi i cili i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 në policinë e Hanoverit ka deklaruar se pardje vëllai i tij Fatoni ia ka vjedhur dokumentet në banesën e tij personale në Hanover. Është gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person kthehet nga Hanoveri ilegalisht në Preshevë dhe tenton sërish të shkoj në Gjermani”, ka thënë Daçiq, shkruan N1.
Daçiq tutje pretendon se “për këtë është rëndë dakord më herët dhe se ka qenë një akt i organizuar”
Kreu i ministrisë së Brendshme të Serbisë ka thënë se policia gjermane duhet të përgjigjet urgjentisht nëse Faton Hajrizi ka qenë në Hanover dhe si ka hyrë e si ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë.
Një kërkim i gjerë është duke u zhvilluar për kapjen e tij. Në Bosnje dhe Hercegovinë, gjithashtu, masat e sigurisë janë shtuar për shkak të frikës se autori mund të kalojë kufirin, raportojnë mediat boshnjake.
“Pjesëtarët e MPB-së së Republikës Serbe janë në komunikim të vazhdueshëm me kolegët e tyre nga Serbia dhe po ndërmarrin një sërë masash në zonat që mbulohen operativisht nga njësitë policore të Zvornikut dhe Bijeljinës, me qëllim gjetjen dhe arrestimin e personit që ka kryer vrasjen, duke pasur parasysh afërsinë e kufirit të BeH-së dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në kërkim përveç policëve të këtyre dy zonave janë përfshirë edhe pjesëtarë të njësiteve të xhandarmërisë.
Ministria e Punëve të Brendshme të RS-së u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në zonën kufitare, që të lajmërojnë menjëherë policinë në nëse shohin një person nga fotografia e publikuar.
Rrëfimet e dëshmitarëve
Banorët e Loznicës ku ka ndodhur rasti, kanë rrëfyer se çka panë. Njëri nga ta tha se para shtëpisë ku ndodhën të shtënat, skena ishte e tmerrshme.
“Unë isha duke fjetur, ne u zgjuam papritur nga të shtënat. Por nuk ishte një apo dy, ishte shumë. Vrapova menjëherë në tarracë dhe pashë një polic që ishte strehuar pranë garazhit tonë. Ai po thërriste dikë. Ajo makinë ishte ndalur, shoferi ishte brenda dhe dera e pasagjerit ishte e hapur. Dola jashtë për ta ndihmuar, por nëna ime më ndaloi, më tha të mos dilja nga të shtënat dhe unë isha ende në gjendje shoku. Aty mbërriti policia rrugore, e cila nuk është larg nga këtu. Babai im zbriti për të ndihmuar. Më besoni, jam ende në shok, kam qenë shumë i frikësuar. Ju prisni të jeni të sigurt në shtëpinë tuaj dhe më pas diçka e tillë ndodh para shtëpisë tuaj”, tha ai.
“Ishte errësirë, nuk pamë njeri. U dëgjuan vetëm të shtëna. Polici i plagosur ka qëlluar sulmuesin, me sa di unë, dhe më pas ka ardhur për të kërkuar ndihmë. E pamë atë policin tjetër, ishte shtrirë, djali po nxirrte frymë. Nuk kishte shpëtim për të”, tha ky banor i Loznicës.
Për këtë rast, deri tash janë arrestuar tre persona. I pari që u arrestua ishte Mithat Haxhiq nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.
Një person tjetër, sipas Daçiqit është është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me rastin.
Sipas tij, i arrestuari dyshohet se ka organizuar “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.
“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.
Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore.
Reagimi i kryeministrit Kurti
Lidhur me rastin, foli sot edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se se organet e sigurisë në Kosovë janë duke i grumbulluar informacionet lidhur me rastin, ndërsa rekomandoi që të përcillen komunikatat e institucioneve përkatëse të Kosovës.
“Po ato info qe i përmende i kam marrë edhe unë sot, nuk kam diçka shtesë, por organet tona të sigurisë dhe rendi po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur përcjellni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punve të Jashtme dhe Diasporës”, tha Kurti.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër territorin serb.
MPJD bën thirrje që sipas vlerësimit të situatës, ata të shmangin edhe tërësisht kalimin nëpër territorin serb.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës./Reporteri.net