Vendimi i qeverisë ka për qëllim të përcaktojë kriteret që duhet të plotësojnë subjektet aplikuese pranë Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, dokumentacionin dhe procedurat për të përfituar lehtësirat e parashikuara në ligj.

 

Sipas vendimit, çdo subjekt aplikues, i interesuar për të përfituar lehtësitë, paraqet pranë Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes kërkesën, sipas formularit standard të aplikimit të plotësuar dhe i firmosur nga përfaqësuesi ligjor i subjektit aplikues, së bashku me dokumentacionin shoqërues, si më poshtë vijon:

Kopjen e certifikatës së regjistrimit të subjektit në Qendrën Kombëtare të Biznesit;

Ekstraktin historik të biznesit dhe ekstraktin për të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues;

Dokumentacionin provues për miratimin nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë shtetërore “Kayo”, sh.a., për bashkëpunimin me personin juridik privat;

Relacionin shpjegues për partneritetin me shoqërinë Kayo, sh.a., formën e bashkëpunimit, përshkrimin e aktiviteteve që do të realizohen, mundësitë e punësimit, përfshirjen e teknologjive, ndikimin mjedisor, analizën e impaktit ekonomik, social, mundësitë e përfitimit publik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes;

Kopjen e plotë të planit të biznesit afatshkurtër 3-vjeçar;

Pasqyrën financiare të audituar për të paktën 3 vitet e fundit në vendet e origjinës së subjekteve aplikuese ose, në rast të subjekteve të reja, deklaratën financiare të audituesit të miratuar;

Dokumentacionin financiar, që provon kapacitetet financiare për kryerjen e aktiviteteve në industrinë ushtarake;

Dokumentacionin që përshkruan nevojat për infrastrukturë ndihmëse;

Listën e punonjësve të planifikuar për punësim dhe programin e trajnimit për kualifikimin e tyre;

Dokumentacionin që provon se subjekti nuk është në procedurë falimentimi ose likuidimi dhe se kapitalet dhe asetet nuk janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm;

Vërtetimin se subjekti aplikues nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale;

Vërtetimin që subjekti i ka përmbushur të gjitha detyrimet në lidhje me pagesat e taksave, tatimeve, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;

Vërtetimin e gjendjes gjyqësore ose një dokument të lëshuar nga një autoritet tjetër kompetent, që vërteton se personat që janë anëtarë të një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i tij, aksionar/ortak ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse apo kontrolluese brenda tij, të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje ose financim në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste, pastrim parash ose financim të terrorizmit, vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, gjenocid, torturë, vrasje, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, armëmbajtje pa leje, tregti të paligjshme armësh, krime ushtarake, sulme kibernetike, organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit e shitjes së narkotikëve dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve, si dhe shfrytëzim i punës së të miturve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore;

Autorizimin me shkrim të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes për të kryer verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura me aplikimin për përfitimin nga lehtësirat.