Viktor Orban ishte duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Parlamentin Evropian të martën pasdite kur një aktivist dhe këshilltar i një partie opozitare nxitoi drejt tryezës së tij dhe bërtiti disa herë: “Për sa e tradhtove vendin, kryeministër?”.
Ai e përsëriti këtë disa herë dhe më pas theksoi se kryeministri ia kishte shitur Hungarinë presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping.
Kjo ngjarje ndodhi në ditën kur Hungaria konfirmoi se “do të bllokojë” një hua prej 35 miliardë eurosh për të mbështetur ekonominë e shkatërruar nga lufta të Ukrainës.
Bëhet fjalë për Hungarinë e udhëhequr nga Vitor Orban, e cila ka fituar një “reputacion” për bllokimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Dhe vetëm një ditë më pas, Orban ka pësuar një tjetër goditje – madje edhe më të rëndë.
Kësaj radhe ishte Ursula von der Leyen që kritikoi kryeministrin hungarez për “miqësinë” ndaj Vladimir Putinit.
“Ka ende disa që fajësojnë për këtë luftë jo pushtuesin por të pushtuarin…”, ka thënë von der Leyen, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Kujtojmë se Orbán shkoi në “misione paqeje” të vetëshpallura në Kiev, Moskë, Pekin dhe Uashington dhe pretendoi, pa autorizim, se përfaqësonte BE-në.
Shefja e BE-së kritikoi edhe vendimin e fundit të Hungarisë për të lejuar policinë kineze të patrullojë brenda vendit, si dhe lehtësimin e vizave të kësaj vere për shtetasit rusë, gjë që ajo e quajti një “rrezik sigurie” për të gjitha vendet e BE-së.