Ministria e Faton Pecit nuk e di saktë as sa hektarë me grurë janë të mbjellë në Kosovë. Madje, as gjysma e sipërfaqeve të mbjella nuk janë korrur. Por, vetë ministri, i cili këtë vit e ka shpikur një shifër të re rreth nevojave konsumuese vjetore për kokë banori, po e di që “Kosova e ka siguruar bukën e motmotit”.
“Nga numri i aplikimeve për subvencione, mund të themi se sipërfaqet e përgjithshme të mbjella me grurë janë mbi 65,000 hektarë”, ka thënë Ministria e Bujqësisë në një përgjigje për Demokracia.com.
Në vitin 2023, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipërfaqe të mbjella me grurë ka pasur më shumë dhe në total ato kanë qenë 80,025 hektarë.
Shënimet e plota, sipas kësaj ministrie, do të mund të sigurohen vetëm pas përfundimit të plotë të korrje-shirjeve, pasi komunat i raportojnë edhe sipërfaqet më të vogla se 1 hektar.
Rendimenti mesatar, sipas përgjigjes së ministrisë së Faton Pecit për Demokracia.com, pritet të variojë nga 4500 deri rreth 5000 kg për 1 hektar për shkak të kushteve më të mira klimatike, ndërkohë që në vitin 2023 rendimenti mesatar ka qenë 3800 kg për 1 hektar.
“Prodhimtaria e përgjithshme këtë vit pritet të jetë rreth 325,000 tonë grurë”, ka thënë Ministria e Bujqësisë në përgjigjen e saj për Demokracia.com.
Ndërsa, të pyetur rreth nevojave konsumuese për kokë banori në grurë dhe miell, ministria e Pecit që viteve të kaluara ka dhënë shifra të tjera, këtë vit i ka ulur drastikisht ato dhe pothuajse i ka përgjysmuar.
“Vlerësimet tona janë që nevojat konsumuese për kokë banori janë nga 140 deri 153 kg grurë, gjegjësisht nga 91 deri 100 kg miell në vit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Kjo ministri, respektivisht Departamenti i Prodhimtarisë në këtë institucion, në të kaluarën ka thënë se nevojat konsumuese për kokë banori janë rreth 205 kilogramë grurë për kokë banori, që janë ekuivalente me 140 kilogramë miell.
Sasia e importit të grurit në gjashtëmujorin e këtij viti, sipas kësaj ministrie, është mbi 9 milionë euro ose rreth 45 mijë ton, ndërsa importi i miellit në këtë gjashtëmujor është rreth 3 milionë euro ose rreth 6.5 mijë ton miell.
Ministria e Bujqësisë, e cila këtë vit po jep shifër shumë më të vogël të nevojave për konsum për kokë banori, pretendon se buka e motmotit do të sigurohet duke kalkuluar edhe me numrin e banorëve sipas regjistrimit të vitit 2011.
Kosova ka prodhuar edhe në të kaluarën mbi 300 mijë ton grurë, por asnjëherë nuk është pretenduar se janë përmbushur nevojat vjetore të konsumit të popullsisë, pasi që një sasi relativisht e madhe e prodhimtarisë së grurit shpërndahet edhe për nevojat e industrisë së ushqimit, për ushqimin e bagëtisë dhe një sasi e vogël edhe eksportohet.