Ministri i Financave, Z. Petrit Malaj i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Z. Genti Gazheli, zhvilluan sot një vizitë në ambjentet e portit të karburanteve në Porto Romano, për të parë nga afër zbatimin e Planit operacional mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Të tre institucionet kanë nënshkruar dhe po zbatojnë Planin Operacional 24/7 për periudhën 01.08.2024 – 31.12.2024 për të koordinuar dhe bashkëvepruar ngushtë për shkëmbimin dhe trajtimin e informacionit, për kontrollin e veprimtarisë së importit, eksportit, prodhimit, depozitimit, transportimit dhe tregtimit të hidrokarbureve.
“Vendosa të vij sot në ambientet e Porto Romanos për të parë nga afër zbatimin e planit të masave i cili po ndiqet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për monitorimin e të gjithë zinxhirit furnizues të karburanteve, nga importi, te depozitimi në zonat e lira doganore te shitja me shumicë deri te pikat e furnizimit me pakicë.
Do kërkoja një vëmendje dhe angazhim maksimal nga të gjitha strukturat, Doganat, Tatimet, Drejtoria e Policisë në zbatimin e planit të masave që kemi ndërmarrë. Është shumë e rëndësishme ndërveprimi dhe sinergjia që krijoni mes të gjitha strukturave, për të garantuar mbarëvajtjen e të gjithë procesit që jemi duke implementuar,” u shpreh Ministri i Financave, Z. Petrit Malaj.
“Plani operacional midis 3 institucioneve tona, strukturave të Tatimeve, Doganave e Policisë së Shtetit po funksionon shumë mirë. Kemi mbikëqyrje 24/7 të zonës brenda territorit, gjithashtu dhe perimetrit jashtë territorit nga strukturat e departamentit operativ hetimor dhe nga Dogana Durrës. Përveç strukturës tonë që është 24 orë në funksion të këtij plani operacional kemi dhe kamerat e ambientit, janë 70 kamera që mbulojnë të gjithë perimetrin. Gjithashtu përveç mbikëqyrjes në terren kemi dhe sistemin Asycuda, sikurse dhe sistemin E-tax të Tatimeve.
Ndërveprimi në kohë reale na jep mundësi që të shohim dhe të parandalojmë çdo veprimtari të mundshme në tentacion për të shkelur ligjin, apo evazion fiskal. Pra përveç kontrollit fiskal, bëjmë dhe kontrolle nëpër sisteme për të parë ndërveprimin me faturat tona,” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Z. Genti Gazheli.
Nga ana tjetër ai shtoi se konsumi i karburanteve për 7-mujorin e parë të vitit është rritur, ndërsa deri në fund të vitit kjo shifër pritet të arrijë në 700 mijë ton.
“Trendi pozitiv i rritjes së konsumit të karburanteve po vijon edhe në muajin gusht pasi dhe 7-mujori u mbyll me rezultate shumë të mira, por gushti bën specifikën e veçantë për shkak edhe të rritjes eksponenciale të turizmit në këtë periudhë shumë të nxehtë vere, kështu që patjetër ka dhënë ndikimin e vet dhe besoj që ne do ta mbyllim vitin me një sasi rekord prej 700 mijë ton konsumi të karburantit për vitin 2024,” deklaroi më tej drejtori i Doganave.
Plani i përbashkët operacional ka synim kontrollin dhe monitorimin e importit, mbajtjes dhe tregtimit të produkteve energjetike të akcizës për zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi. Po ashtu ai synon identifikimin e individëve, personave fizikë apo juridikë që zhvillojnë në mënyrë të jashtëligjshme aktivitetin e importimit, mbajtjes, tregtimit të produkteve energjetike të akcizës; rritjen e forcës goditëse dhe ndjekjen penale të individëve, personave fizike, juridikë që zhvillojnë në mënyrë të jashtëligjshme aktivitetin e importimit, mbajtjes, tregtimit të produkteve energjetike të akcizës; sekuestrimin e produkteve energjetike të akcizës të pafiskalizuara, apo që nuk plotësojnë standardin e cilësisë, si dhe parandalimin e kontrabandimit apo deklarimeve të rreme të produkteve energjetike të akcizës.
Për periudhën 7 mujore 2024 konsumi i karburanteve arriti në 381,083 tonë me rritje 19,700 tonë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 kur ishin 361,381 tonë.