Në analizën e saj, AFP thekson se ekzistojnë afinitete të qarta midis kandidatit republikan për presidencën e SHBA-ve, Donald Trump, dhe presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, por të dy mbajnë një marrëdhënie qëllimisht të paqartë, e cila është rikthyer në vëmendjen kryesore vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
As kundërshtarë të vërtetë dhe as miq të mirëfilltë, secili mendon se vepron për interesin e vet, në një kohë kur ish-presidenti amerikan mund të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Donald Trump ka shprehur admirim për presidentin rus, duke e cilësuar si një udhëheqës “inteligjent,” por që bëri një “gabim të madh” kur pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.
Trump, i cili ka marrëdhënie të tensionuara me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se “kjo luftë nuk duhet të kishte ndodhur kurrë.” Ai ka lëvduar “marrëdhënien shumë të mirë” me Putinin, duke kritikuar shumat e mëdha të fondeve të lëshuara nga Uashingtoni për të mbështetur Ukrainën dhe ka premtuar se do t’i japë fund luftës, megjithëse nuk ka shpjeguar si.
“Ukraina, ju lutem mbani mend, nuk është më Ukraina,” ka deklaruar Trump në një podcast të kohëve të fundit.
Nga ana tjetër, Vladimir Putin ka vënë në dukje se marrëdhënia e tij me SHBA-në do të varet nga qëndrimi i tyre pas zgjedhjeve, duke përshëndetur njëkohësisht “sinqeritetin” e kandidatit republikan për dëshirën e tij për të vendosur paqen në Ukrainë.
Në librin e tij “War,” gazetari i Washington Post, Bob Woodward, shkruan se Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë biseduar shtatë herë që pas largimit të Trump nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021.
Kremlini e ka mohuar këtë.
Por Donald Trump lë hapur dyshimet, duke thënë: “Nuk komentoj, por po ju them se, nëse e kisha bërë, do të kishte qenë zgjuar,” tha ai në një intervistë të fundit për Bloomberg.
“Nëse jam mik me njerëzit, nëse mund të kem marrëdhënie me njerëzit, kjo është një gjë e mirë, jo e keqe për vendin. Ai (Putin) ka 2,000 armë bërthamore dhe ne po ashtu,” shtoi ai.
Putin nuk e ka mbështetur kurrë publikisht Trump-in, madje ka deklaruar, me një ton sarkastik, se priret drejt kandidaturës së Joe Biden, dhe pas tërheqjes së tij, drejt asaj të nënpresidentes Kamala Harris.
“Unë kam thënë tashmë që favoriti ynë, nëse mund ta quajmë kështu, është presidenti aktual, zoti Biden. Ai është tërhequr nga gara, por u ka kërkuar mbështetësve të tij të përkrahin zonjën Harris. Dhe ne këtë do të bëjmë, do ta mbështesim,” deklaroi në mënyrë ironike lideri rus në një forum më 5 shtator.
Donald Trump ka vendosur “një numër kaq të madh kufizimesh dhe sanksionesh ndaj Rusisë” sa asnjë “president përpara tij,” ka sqaruar Putin. “Ndoshta ajo (Harris) do të përmbahet nga veprime të tilla,” shtoi presidenti rus.
Gjatë presidencës së Trump-it, SHBA kanë ndjekur një linjë të ashpër kundër Moskës, kujton AFP.
Kjo nuk e ndaloi Trump-in të thotë se i beson Putinit në një takim të paharrueshëm në Helsinki në 2018 me presidentin rus, kur ky i fundit e siguroi se Rusia nuk ishte përzier në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, pavarësisht nga pohimet e shërbimeve të inteligjencës amerikane.
“Është e qartë se kandidatura e Trump është më e preferuar për Rusinë,” sidomos nëse “Rusia dëshiron një marrëveshje të shpejtë” në Ukrainë, ndërsa administrata Biden kryeson një koalicion vendesh në mbështetje të Kievit, tha politologu rus Konstantin Kalachev.
Nëse, përkundrazi, Moska dëshiron ta zgjasë luftën për të dobësuar më tej Ukrainën, “atëherë me Harris do të jetë më e lehtë,” pasi është “më pak e mundshme që ajo të jetë më e vendosur se Joe Biden,” shpjegoi eksperti rus në komente për AFP.
Në përfundim, “me Trump është njëkohësisht më e lehtë dhe më e ndërlikuar, pasi (…) ai është i paparashikueshëm,” shtoi Kalachev.
Leon Aron, nga American Enterprise Institute, një qendër kërkimore në Uashington, pret që, nëse Donald Trump fiton, ai të kërkojë një takim ballë për ballë me Putinin.
Megjithatë, Aron dyshon se presidenti rus dhe Trump do të mund të arrijnë një marrëveshje, duke pasur parasysh interesat e tyre thelbësisht të kundërta. I pari, sepse “nuk do të pranojë asgjë më pak se fitoren në Ukrainë,” dhe i dyti, sepse ka pak gjasa të pranojë atë që do të dukej si “një humbje e interesave të SHBA-së,” thotë eksperti.