Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka uruar Mark Rutten për emërimin si sekretar i ri i NATO-s, ka thënë se mezi pret që të punojë me të për të avancuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Urime miku jonë i dashur, Mark Rutte, për emërimin sekretar i ri i NATO-s. Përvoja, lidershipi dhe njohuritë e tij do të jenë të paçmueshme për Aleancën. Gjatë viteve, kemi punuar bashkë në shumë çështje të rëndësishme dhe nuk kam dyshim se bashkëpunimi ynë i fortë do të vazhdojë edhe kur t’i marrë përgjegjësitë e reja. Mezi pres të punojmë bashkë në avancimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe të punojmë bashkë për paqe e siguri në kontinentin tonë dhe më tej”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Kryeministri në largim i Holandës, Mark Rutte, është zgjedhur të mërkurën zyrtarisht sekretari i Përgjithshëm i ri i aleancës së NATO-s, me pëlqimin e të gjithë anëtarëve të aleancës ushtarako-politike.
Rutte është emëruar sekretar i përgjithshëm të mërkurën dhe do ta marrë postin nga 1 tetori.
Rutte shërbeu si kryeministër holandez për më shumë se 10 vjet.