Përmes asaj që e quajti një video-kartolinë, kryeministri Edi Rama publikoi disa pamje në formën e një përmbledhjeje të takimit historik me emigrantët shqiptarë.
Për mos ta lënë thjesht në kuadrin e fjalëve atë çfarë u tha emigrantëve në Greqi, një ditë më pas kryeministri Edi Rama publikoi iniciativën më të re të qeverisë shqiptare “Mësues për Greqinë”. Synohet që nëpërmjet këtyre mësuesve fëmijët e emigrantëve të kenë mundësi studimi të letërsisë dhe historisë së Shqipërisë.
Në njoftimin e Ambasadës Shqiptare në Athinë, të cilin e shpërndau kryeministri Edi Rama, thuhet:
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë informon çeljen e procesit të mbledhjes së shprehjeve të interesit, për programin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, “Mësues për Greqinë”. Ky program ka në bazën e vet mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve të Greqisë. Ai do të shtrihet më pas edhe në mësimin e letërsisë dhe historisë së Shqipërisë. Ambasada iu bën thirrje të gjithë mësuesve e mësueseve të licencuar të gjuhës shqipe, që të aplikojnë në adresën bashkëlidhur www.mesuespergreqine.gr për të shprehur gatishmërinë dhe paraqitur vetëm dokumentin e licencës së mësuesit”. Ambasada jonë në Athinë po ashtu thotë se të gjithë ata që janë të interesuar të hyjnë në kurset e trajnimit për të dhënë lëndën e gjuhës shqipe dhe marrë certifikatën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, janë të mirëpritur të aplikojnë. Ky program mbështetet financiarisht nga qeveria shqiptare dhe të gjithë mësuesve të përzgjedhur do t’u lidhet një pagë mujore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Aplikimet janë hapura deri në 𝟑𝟎 𝐪𝐞𝐫𝐬𝐡𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟒.