Autoritetet meksikane kanë refuzuar një kërkesë nga administrata e presidentit Donald Trump për të lejuar një avion ushtarak amerikan, që deportonte migrantë, të ulej në Meksikë, raporton Reuters.
Avionët ushtarakë amerikanë kanë kryer të premten dy fluturime të tilla, secili duke transportuar rreth 80 migrantë, drejt Guatemalës. Megjithatë, qeveria amerikane nuk ka mundur të realizojë një fluturim të ngjashëm, me një avion ushtarak transportues C-17, drejt Meksikës.
Një zyrtar amerikan dhe një tjetër meksikan kanë konfirmuar për Reuters vendimin, i raportuar për herë të parë nga NBC News. Ministria e Jashtme e Meksikës ka deklaruar se vendi ka një “marrëdhënie shumë të mirë” me SHBA-në dhe bashkëpunon në çështje si emigracioni.
“Për sa i përket riatdhesimeve, do të pranojmë gjithmonë ardhjen e meksikanëve në territorin tonë me krahë hapur,” ka njoftuar ministria. Zyrtari meksikan nuk ka dhënë një arsye për refuzimin e lejes së uljes, ndërsa ministria e jashtme nuk e ka përmendur këtë incident në deklaratën për shtyp.
Pentagoni ka njoftuar se ushtria amerikane do të ofrojë fluturime për deportimin e mbi 5,000 migrantëve që ndodhen në paraburgim në El Paso, Teksas, dhe San Diego, Kaliforni. Përdorimi i avionëve ushtarakë amerikanë për fluturime deportimi është një përgjigje e Pentagonit, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin me Meksikën nga presidenti Trump dhe shpalljes së karteleve të drogës meksikane si organizata terroriste.
Ditët e fundit, presidenti Donald Trump ka nënshkruar një dekret për dislokimin e 1,500 ushtarëve shtesë në kufirin me Meksikën. Ndërkohë, autoritetet meksikane kanë filluar ndërtimin e strehëve me tenda në qytetin kufitar Ciudad Juarez, për t’u përgatitur për një valë të mundshme deportimesh të meksikanëve, pas premtimeve të presidentit Trump për dëbime masive.
Donald Trump ka premtuar se do të ndërmarrë fushatën më të madhe të deportimeve në historinë e Shteteve të Bashkuara, për të larguar miliona emigrantë nga vendi. Megjithatë, një operacion i kësaj përmase ka gjasa të zgjasë me vite dhe të ketë kosto të jashtëzakonshme.