Të paktën 32 persona janë vrarë dhe 63 të tjerë janë plagosur në një sulm në një hotel në plazhin Lido në kryeqytetin Mogadishu në Somali.
Bëhet e ditur se pas raportimeve për shpërthim dhe të shtëna me armë zjarri në vendngjarje kanë shkuar forcat e sigurisë.
E përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë militantët e lidhur me Al-Qaedan, Al-Shabaab, përmes sistemit të radios.
Raportohet se një nga luftëtarët e tyre vdiq pasi shpërtheu një bombë vetëvrasëse, shkruan euronews.
Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve somaleze tha se forcat e sigurisë kanë “neutralizuar sulmuesit”, ndërsa zëdhënësi i policisë major Abdifatah ka njoftuar se një ushtar është vrarë.
Dëshmitari Mohamud Moalim tha se ai pa një sulmues të veshur me një jelek shpërthyes pak çaste përpara se burri “të hidhte në erë veten pranë hotelit me pamje nga plazhi”.
Ai shtoi se disa nga miqtë e tij që ishin me të në hotel u vranë dhe të tjerët u plagosën.