“1.5 milionë banorë pritet t’i ketë Kosova, pa përfshirë diasporën”. Kjo është deklarata e para disa ditëve e kreut të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, kur procesi i regjistrimit të popullsisë po i afrohej fundit, shkruan Demokracia.com.
Prej këtyre shifrave, mbi 200 mijë parashihen të jenë popullsi e komuniteteve pakicë, që jetojnë në Kosovë.
Pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Agjencinë e Statistikave të Kosovës, institucion nën varësinë e tij të drejtpërdrejtë, për të përgëzuar për përfundimin e këtij procesi, i cili ishte shtyrë dy herë.
E VËRTETA QË KURTI MUNDOHET TA FSHEHË: 300 MIJË QYTETARË IKËN NGA KOSOVA PASI AI ERDHI NË PUSHTET
Gjatë qëndrimit të tij në oborrin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kryeministri Kurti mundohej të krijonte një gjendje artificiale, duke u munduar vazhdimisht të fshihte të vertetën e madhe dhe të dhimbshme për numrin më të madh të qytetarëve të Kosovës që kanë ikur nga vendi, që nga viti 2020 kur Kurti u bë për herë të parë kryeministër i Kosovës.
Jeta e vështirë pas shtrenjtimit të gjithçkaje në Kosovë dhe moskokëçarja e kryeministrit Kurti, i cili mbështeti këto shtrenjtime siç ishte rasti me energjinë elektrike, kanë ndikuar që ky numër i madh i qytetarëve, në një periudhë kaq të shkurtër 3-vjeçare, të marrin vendimin për ta braktisur Kosovën.
Sipas të dhënave të ASK-së, në fund të vitit 2020, numri i popullsisë së Kosovës ishte 1.8 milion banorë dhe po aq edhe në fund të vitit 2021.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se numri i popullsisë rezidente në Kosovë në vitin 2020 (1,798,188) ishte për 20,000 qytetarë më e lartë se popullsia e pasqyruar në regjistrimin zyrtar të vitit 2011 (1,780,011).
Ky institucion nuk ka publikuar vlerësimet për vitin 2022 dhe as për vitin 2023.
Procesi i regjistrimit të popullsisë ishte shtyrë dy herë më radhë, ndonëse ishte planifikuar të fillonte gjatë vitit 2023.
Mungesa e tabletëve për t’u përdorur nga regjistruesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk ishte arsyeja e vërtetë, e cila u përdorë nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij për ta shtyrë përfundimisht regjistrimin e popullsisë për në muajin prill të vitit 2024.
Të dhënat e frikshme që kryeministri Albin Kurti i kishte pranuar nga vlerësimet e ASK-së për popullsinë rezidente (të pranishme) në Republikën e Kosovës, janë arsyeja kryesore që ka e shtyrë Qeverinë e Kosovës të marrë vendimin për të shtyrë regjistrimin e popullsisë, duke regjistruar kështu një nga dështimet më të mëdha të radhës së ekzekutivit kosovar.
Demokracia.com kishte raportuar më 30 nëntor 2023, duke u mbështetur në burime nga njerëz të afërt me kryeministrin Kurti dhe me procesin e regjistrimit të popullsisë se sipas të dhënave në Kosovë, vlerësimeve të ASK-së, numri i qytetarëve rezidentë ka rënë ndjeshëm, në hiç më shumë se rreth 1.4 milionë banorë, nga rreth 1.8 sa jetonin në Kosovë para ardhjes së Kurtit dhe Vetëvendosjes në pushtet. /Demokracia.com/