Procedura e Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, e njohur si IVF pritet të funksionalizohet së shpejti, brenda dy jave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Shërbim ky i cili deri tani nuk ka qenë në dispozicion për pacientet.
Reparti tashmë është gati me të gjitha aparaturat e nevojshme. Ndërkaq stafi i cili është trajnuar dhe jashtë vendit, është në pritje të pacientëve të parë, të cilët do t’i nënshtrohen procedurës së IVF- it, për herë të parë në Klinikën e Gjinekologjisë.
Zef Ndrejaj drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK në një intervistë për “Indeksonline”, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe se ky shërbim pritet të fillojë brenda dy jave.
“Procedurat e IVF po presim të fillojnë pas dy jave, ka mesi i dhjetorit. IVF është procedurë e gjatë. Nuk do të thotë që të gjitha intervenimet, të kryhen me një kontroll. Fillon me ekzaminimin e pacienteve, përzgjedhjen e tyre. Formohet lista e ngushtë, pastaj fillohet me procedurat e intervenimit. Puna me pacientë po besoj që do të fillojë brenda 2 – 3 jave. Jemi në fazen kur do të bëhet përzgjedhja e pacienteve, ekzaminimet, lista e ngushtë e pacienteve që do t’i nënshtrohet procedurës së IVF. Prej fillimit të porcedurës së ekzaminimit deri tek procedura e intervenimit, lypsen disa javë”, thotë Ndrejaj.
E pacientët nuk do të detyrohen më që për një procedurë të tillë , t’i drejtohen spitaleve private, për të shpenzuar mijëra euro. Pasi që kjo do të kryhet dhe në Kliniken Gjinekologjike të QKUK-së, tërësisht falas.
“Kjo është e mira, që kjo procedurë në institucionet private kushton me mijëra euro, deri në 3 mijë e 4 mijë euro. Ndërsa këtu në tërësi procedura prej ekzaminimeve, deri në procedurën e transferimit të qelizës së mbarësuar dhe mbetjes shtatzënë, është tërësisht pa pare, pa kosto. Të gjitha shërbimet dhe shpenzimet, janë në kuadër të shtetit. MSH e ka bërë një gjest të mirë, që të gjitha barnat që duhen për këtë proces, i ka futur në listen esenciale, që janë pa harxhim”, tha ai.
Por ende pa filluar procedura, interesimi për IVF në Gjinekologji është tejet i madh. Ndrejaj thotë se nuk ka ditë që gratë nuk drejtohen në këtë klinikë, për tu informuar për fillimin e procedurave.