Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe 5 ditë deri në përfundimin e afatit, asnjë subjekt politik nuk ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe as listën me emrat e kandidatëve për deputet.
Afati zyrtar i caktuar nga KQZ-ja do të përfundojë të mërkurën e javës së ardhshme, më 11 dhjetor, në orën 16:00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky afat nuk do të ndryshohet.
“Deri më 11 dhjetor 2024, në orën 16:00, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike”, tha Elezi.
Elezi ka treguar se afati i vendosur nga KQZ-ja është i mbështetur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet.
“Është detyrim ligjor për subjektet politike që aplikimet e tyre për certifikim t’i dorëzojnë deri 60 ditë para zgjedhjeve. Pra, afati i fundit i vendosur nga KQZ-së për aplikim të subjekteve politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë është në përputhje me ligjin dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet”, ka thënë Elezi për kp.
Ditë më parë KQZ ka bërë të ditur se me qëllim të lehtësimit të procesit të aplikimit, është funksionalizuar platforma elektronike https://certifikimi.kqz-ks.org/ e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online për certifikim dhe të listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar ‘userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve për deputetë.
Gjithashtu, KQZ, përmes zyrës, do të krijojë ‘Userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.
Lajme
Devolli Corporation sërish me rekorde – punëdhënësi, eksportuesi dhe tatimpaguesi i vitit 2024 nga OEK
Ballina