Policia britanike njoftoi të premten në mëngjes se ka shpërthyer një “paketë të dyshimtë” pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në qendër të Londrës, raporton AFP dhe Reuters.
“Mund të konfirmojmë se ‘zhurma e fortë’ e dëgjuar në zonë pak më herët ishte një shpërthim i kontrolluar i kryer nga oficerët tanë,” njoftoi policia e Londrës në rrjetin X, duke shtuar se një hetim është në proces.
Më herët, policia kishte njoftuar se ishte informuar për “një incident që ka ndodhur pranë Ambasadës së SHBA-së,” e cila ndodhet në lagjen Nine Elms, në bregun jugor të Tamizit.
“Një perimetër sigurie është vendosur në zonë si masë paraprake, ndërsa oficerët po bëjnë verifikime lidhur me një paketë të dyshimtë,” shtoi policia.
Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA-së sqaroi në rrjetin X se “autoritetet lokale po hetojnë një paketë të dyshimtë jashtë” ndërtesës së saj.
Një tjetër shenjë që autoritetet janë në gatishmëri ishte njoftimi i aeroportit Gatwick në Londër, i cili bëri të ditur se “një pjesë e madhe e terminalit jugor” është evakuuar.
Kjo ishte “një masë paraprake ndërsa hetojmë një incident sigurie,” deklaroi aeroporti në X, pa dhënë detaje të tjera mbi natyrën e incidentit.
“Pasagjerët nuk mund të hyjnë në terminalin jugor (…) Po bëjmë gjithçka për të zgjidhur çështjen sa më shpejt,” shtoi burimi i cituar.