Marine Le Pen, liderja e partisë franceze të ekstremit të djathtë Mbledhja Kombëtare (RN, Rassemblement National), deklaroi të mërkurën se është e nevojshme një “ndarje e qartë” e marrëdhënieve me formacionin e së njëjtës orientim Alternativa për Gjermaninë (AfD), transmeton Reuters.
Në një intervistë të dhënë për radion Europe 1, ajo akuzoi AfD-në se është e hutuar dhe peng i elementeve radikale brenda saj. “Ishte urgjente të vendosnim një kordon sanitar,” vlerësoi ajo, duke sugjeruar se ekstremistët gjermanë janë bërë shumë toksikë për ata francezë përpara zgjedhjeve europarlamentare të qershorit.
“AfD shkon nga një provokim në tjetrin,” konstatoi Le Pen. “Tani është momenti të distancohemi, është momenti për një ndarje të qartë me këtë lëvizje.”
AfD, që është rritur në vendin e dytë për nga popullariteti në Gjermani, ka tërhequr vëmendjen përmes një deklarate të kandidatit të saj kryesor, Maximilian Krah. Ky i fundit deklaroi për një gazetë italiane se “nuk të gjithë SS-istët ishin kriminelë.”
SS (Schutzstaffel) ishte forca kryesore paramilitare e partisë naziste të Adolf Hitlerit dhe luajti një rol të rëndësishëm në Holokaust.
AfD nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të radiotelevizionit gjerman ZDF për të komentuar fjalët e Krah të shënuara nga La Repubblica. Ky i fundit dha dorëheqjen të mërkurën nga drejtimi i partisë, transmetoi ZDF.
Ndarja midis RN-së dhe AfD-së mund të vërë në provë përpjekjet e ekstremit të djathtë për të treguar një sukses elektoral evropian, vlerëson Reuters. RN-ja kishte njoftuar që të martën se nuk do të jetë më krah për krah me AfD-në në Parlamentin Evropian.
Ekstremistët gjermanë mund të preken edhe në planin e brendshëm, vëren agjencia e përmendur. Në javët e fundit, AfD ka regjistruar një rënie në sondazhet e opinionit. Protesta të mëdha popullore kanë kundërshtuar partinë pasi disa prej liderëve të saj morën pjesë në një takim ku u diskutua për deportimin nga Gjermania të emigrantëve dhe pasardhësve të tyre. Ka pasur edhe akuza se midis ekstremistëve të djathtë ka agjentë të Rusisë dhe Kinës.
Javën e kaluar, një gjykatë gjermane vendosi që shërbimet e sigurisë së brendshme mund të vazhdojnë mbikëqyrjen e AfD-së, si një parti potencialisht ekstremiste.
Megjithatë, sondazhet e opinionit tregojnë se partitë nacionaliste dhe euroskeptike do të fitojnë një numër rekord votash në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Votuesit pritet të ndëshkojnë kështu politikën tradicionale, e cila nuk ka arritur t’i mbrojë ata nga inflacioni, të kufizojë emigracionin dhe të sigurojë kushte të përshtatshme për strehim dhe shërbime mjekësore.
Aktualisht, partitë e ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian janë të ndara në dy grupe – Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), me kryeministren italiane Giorgia Meloni si lidere de facto, dhe Identitet dhe Demokraci (ID), me RN-në në krye.