Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës me datë 27 shkurt 2025, aprovoi raportin vjetor të agjencisë për vitin 2024 i cili sipas procedurave ligjore do të përcillet në Kuvend të Kosovës. Gjithashtu bordi u informua lidhur me progresin mujor të punës së agjencisë.
Lidhur me shitjet e aseteve përmes tenderit publik, bordi vendosi për shpalljen e valës SHAL 71, ku për herë të parë do të publikohet edhe çmimi minimal orientues për secilin aset.
Për më tepër bordi shqyrtoi dhe miratoi raportin e Komisionit të banesave të NSH-ve më gjithsej 7 raste; 5 aprovime për shitje, 2 refuzime dhe 1 jokompetencë. Po ashtu u aprovua rekomandimi i Komisionit për bartjen e 3 kërkesave të pa përmbyllura për blerjen e banesave të ndara në shfrytëzim, nga njësitë e Ndërmarrjes Publike “Trepça” sh.a.
“Në vazhdim bordi i drejtorëve e shqyrtoi dhe miratoi qiradhënien direkte të aseteve, transfere qirash dhe ndryshime të kushteve të qiradhënies”, thuhet në njoftim.
Veç këtyre çështjeve bordi shqyrtoi dhe miratoi 7 lista përfundimtare të punëtorëve për përfitimin e 20%-shit nga shitja e aseteve si dhe shpërndarjen e mjeteve të 20% si në vijim:
Listat përfundimtare dhe shpërndarjen e 20% për 4 NSh, të cilat kanë shitje të aseteve:
NSh “Agrokosova” Prishtinë (PRN089);
NSh “Komel” Batusë, Prishtinë (PRN054);
NSh KB “Ponoshec” Pejë (PEJ026).
NSh “Lidhja AutoMoto Kosova” Prishtinë (PRN064)
Listat përfundimtare për 3 NSh të cilat nuk ka shitje të aseteve. Mjetet e 20% për këta punëtorë do të shpërndahen vetëm nëse do të ketë shitje të aseteve
NSh “Prizren Trans ”, Prizren (PRZ047);
NSh “ Ndërtimtaria ” Deçan (PEJ061);
NSh “Enti Për Punë Gjeodezike dhe Fotogrametrike”, Prishtinë (PRN057).
Në fund bordi aprovoi raportin korrigjues të shpërndarjes së përkohshme në likuidim për EUP Ingeniering, PRN129.