Kosova njihet si një prej vendeve me më së shumti qarkullim të automjeteve.
Mungesa e metrove, mos-përdorimi i biçikletave si dhe kaosi që shkaktohet zakonisht brenda autobusëve ua pamundëson thuajse lëvizjen me ndonjë mjet tjetër transporti, përpos automjeteve.
Kësisoj shumë prej banorëve të vendit tonë detyrohen që të mbajnë veturat ndoshta shpesh herë me më shumë shpenzime familjare, por që të arrijnë të kryejnë obligimet të cilat kanë.
Nevoja për të lëvizur nga një vend në tjetrin me makina e ka bërë edhe më të lartë numrin e atyre të cilët testohen e më pas pajisen me patentë shoferë.
Numër i lartë i personave të cilët janë pajisur me patentë-shoferë po del të jetë edhe viti 2024. Brenda vitit që kemi lënë pas janë gjithsej 83 mijë e 579 qytetarë të cilët janë pajisur me patentë shoferë.
Bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive, asaj të Punëve të Brendshme e asaj të Infrastrukturës në këtë fushë del të jetë mjaft i rëndësishëm, sipas autoriteteve të vendit.
Kjo pasi në lidhje me testimin e kandidatëve për patentë shoferë të të gjitha kategorive qoftë të provimit teorik apo praktik përgjegjës është ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, respektivisht Departamenti i Patentë-Shoferëve.
Nga kjo ministri kanë thënë se që nga data 1 janar 2024 e deri më 30 nëntor janë testuar në provimin teorik 94 mijë e 819 kandidatë, kurse nga provimi praktik janë vlerësuar gjithsej 56 mijë e 358 kandidatë.
“Sa i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Departamenti për Patent Shofer është kompetente për testimin e kandidatëve për patent shofer të të gjitha kategorive qoftë të provimit teorik apo praktik ku gjatë vitit 2024 nga 01. Janar 2024 deri më 30 nëntor 2024 janë testuar nga provimi teorik 94 819 kandidat, kurse nga provimi praktik janë vlerësuar gjithsej 56358 kandidat (gjithmonë duke u mbështetur në raportet e e-testimit”, thuhet në përgjigje.
E ky vit të cilin kemi lënë pas ishte shumë i rëndësishëm edhe për ata që iu duhej të ndërronin patentë-shoferët.
Rreth kësaj pyetje për lajmi.net, është përgjigjur ministria e punëve të brendshme të cilët thanë se gjatë këtij viti 6 mijë e 509 persona kanë kërkuar ndërrim të patentë-shoferëve, e këtu përfshihen edhe shumë qytetarë nga komuniteti serb e të cilët jetojnë në Kosovës- sidomos në pjesën veriore.
“Numri i qytetarëve që kanë aplikuar për ndërrimin e patentë shoferit sipas vendimeve 258/2024 dhe 457/2024 është 6509”, kanë thënë nga ministria e MPB-së.
E lajm pozitiv për qytetarët mbetet fakti se as këtë vit nuk ka pasur ndryshim apo shtrenjtim të çmimeve për patentë-shoferë.
Nga MMPHI-ja kanë thënë se sipas legjislacionit në fuqi nuk ka pasur ndryshime të çmimeve për patentë- shoferë.
Tashmë për të gjithë personat të cilët shkojnë për të marrë patentë-shoferë, procedurat për këtë çështje shihet të jetë lehtësuar pasi testimi po bëhet në mënyrë digjitale.
Nga Ministria e Infrastrukturës kanë thënë se testimi në mënyrë digjitale (e-testimi), ka krijuar një mundësi unike për kandidatë pasi ofron edhe disa përfitime.
“Procedura e marrjes së patentë-shoferëve është lehtësuar në shumë aspekte për shkak të digjitalizimit të testimit”, thuhet në përgjigje.