Mbi 24 orë nga vrasja e Arlinda Zekajt: Asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim

Kanë kaluar 24 orë pa dhënë askush përgjegjësi për vrasjen mizore të Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga shteti.

Ndonëse Zekaj është vrarë nga neglizhenca e madhe e shtetit, deri më tani askush nga zyrtarët përgjegjës shtetëror nuk ka dhënë dorëheqje dhe askush nuk është shkarkuar.

Pavarësisht, thirrjeve të opozitës për përgjegjësi politike pas këtij rasti tragjik, pushteti ka zgjedhur heshtjen.

Në Kuvend dhe jashtë tij, gjate ditës se djeshme opozita ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke e lidhur rastin me neglizhencën e institucioneve të drejtësisë dhe të organeve përgjegjëse për trajtimin e tij.

Megjithatë, këto thirrje deri më tani janë injoruar nga ministrat, të cilët nuk kanë dhënë dorëheqje.

Po ashtu, nuk është bërë e ditur ndonjë masë shkarkimi ndaj zyrtarëve përgjegjës.

Madje, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka mbrojtur kolegët e saj të partisë për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në adresimin e saj në seancën e djeshme të Kuvendit, ajo ka bërë me dije se Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçala nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë rast.

“Çfarë faji ka ministrja Gërvalla apo ministri Sveçla, nëse ministra e Drejtësisë dhe e Punëve të Brendshme i ka adresuar legjislacionin dhe mekanizmat që ka në dispozicion. Cila është përgjegjësia që ka këtu ministrja e Drejtësisë apo e Punëve të brendshme”, ka thënë ajo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *