Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar sot 25-vjetorin e themelimit duke numëruar shumë të arritura të realizuara gjatë viteve.
Gjatë këtyre viteve ATK-ja në total ka grumbulluar 11 miliardë euro.
Ilir Murtezaj, drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës ka thënë se rrugëtimi për gjatë këtyre viteve ka qenë plotë me sfida, por në të njëjtën kohë, sipas tij ATK-ja ka prekur edhe suksese.
“Fillimisht ATK-ja kishte një staf prej 30 vetave, ndërsa tani mbi 700. ATK ka obligim të sigurojë zbatim të njëtrajtshëm të dispozitave ligjore për gjithë tatimpaguesit. Ne këtë mision e konsiderojmë si mision të shenjtë. Si rezultat i punës profesionale, ATK-ja për këta 25 vjet ka mbledhur mbi 8 miliard euro tatime, e në total kemi mbledhur mbi 11 miliard euro”, tha Murtezaj.
Ai ka përmendur se krahas rritjes të hyrave u vazhdua dhe me reformim të shërbimeve të këtij institucioni.
Kurse, Sebastian Sosa, përfaqësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se ATK-ja është kruciale për zhvillimin e vendit.
Ai tha se ndihet krenar që kanë ndihmuar ATK-në në rrugëtimin për t’u ngritur dhe zhvilluar.
Eileen Devitt, përfaqësuese nga Ambasada e Amerikës në Kosovë ka uruar ATK-në për bashkëpunimin dhe arritjet e bëra deri sot.
Jonathan Hargreaves, ambasador i Ambasadës i Britanisë në Kosovë tha se ATK-ja ndërtuar besimin e qytetarëve, por edhe bizneseve.
Hargreaves tha se kanë parë dedikim dhe progres të ATK-së dhe se shifrat tregojnë arritjet e tyre.
“Gjatë 25 vjetëve ATK-ja ka demonstruar profesionalizëm dhe zotim për misionin e saj. Ju keni ndërtuar besimin e qytetarëve dhe bizneseve. E keni bërë këtë duke përmirësuar grumbullimin e të hyrave. Jam shumë krenar që Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të rëndësishëm. Jemi krenar për bashkëpunimin që kemi ndarë me ju”, tha ai.
Nga ana e tij edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, tha se Gjermania mbetet e zotuar për të vazhduar mbështetjen ndaj ATK-së.
Në fund të ceremonisë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se ATK-ja është një arritje e madhe që simbolizon progresin e përbashkët drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm tatimor.
Përmes përkushtimit ATK-ja sipas tij ka ndihmuar bizneset drejt krijimit të një kuadri që promovon barazinë dhe transparencën.