Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ishte pjesë e një takim me operatorët turistikë Kavajë-Rrogozhinë.
Në aktivitet morën pjesë, përveç Kryetares Spiropali, edhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Zëvendësministrja Ilva Gjuzi dhe deputeti Etjen Xhafaj.
Gjatë takimit u diskutua për suksesin dhe problematikat nga sezoni turistik si dhe masat që do të merren për sezonin e ardhshëm.
Kryetarja e Kuvendit, u shpreh se mbështetja e operatorëve turistikë është prioritet i mbështetjes për zhvillimin e sektorit të turizmit.
“Kjo industri po prodhon jo vetëm ekonomi, por edhe përmirësim të dukshëm të imazhit të vendit tonë. Zhvillimet e Shqipërisë kanë ardhur progresivisht. Viti i kaluar u mbyll me mbi 10 milionë turistë, ndërsa sezoni turistik i këtij viti, duke iu referuar të dhënave Janar-Gusht, u mbyll me 8,5 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 20% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023”, tha Spiropali.
Kryetarja Spiropali bëri me dije se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë së shpejti strategjinë për turizmin 2025-2030.
“Ministria ka një strategji për turizmin dhe do të prezantohet së shpejti. Bëhet fjalë për periudhën 2025-2030. Ministria ka nevojë patjetër për mbështetje, buxhet, që puna e saj të jetë më pranë jush. Kuvendi ka mbështetur e do të mbështesë zhvillimin e industrisë turistike, si një sektor prioritar i ekonomisë”, nënvizoi Spiropali.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, shprehu mbështetjen ndaj operatorëve turistikë ndërsa theksoi se Kavaja nuk ka krijuar vetëm një treg të rëndësishëm në industrinë e turizmit, por ka ofruar dhe standardet më të larta.
“Ju jeni largpamës, kjo tregon vitalitet, forcë biznesi dhe qëndrueshmëri. Kavaja jo thjesht ka krijuar një treg të rëndësishëm në industrinë e turizmit, por dua të theksoj standardet më të larta të turizmit. Shefat më të mirë të kulinarisë i kemi në hotelet e Kavajës, duke e kthyer këtë pjesë të turizmit në një vlerë më vete. Ka një garë në rritjen e cilësisë. Për ndryshimet që ju bëni, ne ju ndjekim me ligje dhe rregulla, me lehtësi fiskale dhe mënyra të tjera”, u shpreh Kumbaro.
Deputeti, Etjen Xhafaj, gjatë fjalë së tij u shpreh se Kavaja është kthyer në destinacion turistik dhe mbështetja e bashkëpunimi nuk do të mungojë.
“Në këtë zonë kemi mbi 1 milionë turistë në vit. Ju i jepni Kavajës një produkt elitar turizmi. Ende keni prenotime deri në fund të tetorit, ndërkohë jeni duke mbyllur prenotimet për vitin e ardhshëm. Besoj se nëse arrijmë të bëjmë këtë punë paralelisht, për të zgjidhur problemet, do të kemi mundësi t’ju ndihmojmë ju”, u shpreh Xhafaj.
Operatorët turistikë diskutuan dhe ngritën disa çështje problematike të cilat lidhen me infrastrukturën e ujit të pijshëm dhe ujërat e ndotur, energjinë dhe problematika të qarkullimit rrugor gjatë sezonit turistik.