Komisioni Evropian (KE) ka thënë të premten se Kosova, njëlloj si vendet e tjera, do të kualifikohet për t’i pranuar pagesat nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, nëse i përmbush kushtet e kërkuara.
Por, zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në pyetjen e Radios Evropa e Lirë(REL) nëse masat e tanishme ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës do të vlejnë edhe për mjetet nga kjo paketë e veçantë financiare.
“Kosova, sikur edhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, konsiderohet e kualifikuar për fondet nga Plani i Rritjes, nëse i përmbush kushtet për pagesa”, tha Pisonero për REL.
Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Autoritetet kosovare argumentojnë se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e këtyre masave.
BE-ja është duke e shqyrtuar tani heqjen shkallëzore apo të menjëhershme të këtyre masave. Për këtë pritet një raport i përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Ndërkohë, në lidhje me planin 6 miliardë eurosh që u miratua zyrtarisht së fundmi për Ballkanin, Pisonero e ka përsëritur se, për Kosovën dhe Serbinë, parakusht për të përfituar pagesa nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.
“Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor paraqet një ofertë gjithëpërfshirëse të BE-së për t’ië forcuar kushtet socio-ekonomike. Po ashtu, ai parasheh edhe qasje progresive në tregun unik të BE-së, me kusht që të arrihet përparim edhe në tregun e përbashkët rajonal dhe mekanizmat për reforma intensive” shtoi ajo.
Ajo nënvizoi se Plani i Rritjes nuk është alternativë për procesin e zgjerimit në BE-së, “por është një ofertë, e cila do ta ndihmojë dhe përshpejtojë këtë proces”.
Pisonero ka përsëritur se janë disa kushte të rrepta që do të kërkohen nga vendet e rajonit për të siguruar pagesat nga kjo paketë.
“Pagesat nga paketa e rritjes do t’iu nënshtrohen kushteve strikte. Kjo nënkupton edhe reformat në fushat kryesore edhe ato socio-ekonomike. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ka një parakusht të përgjithshëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha obligimeve të tyre përkatëse, që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin e zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, nënvizoi ajo.
Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Pisonero u bëri jehonë deklaratave të vazhdueshme të zyrtarëve të BE-së se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është thelbësor në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, pasi i cilëson ato si detyrim për të dyja palët.