Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se FSK ka ngritur kapacitetet profesionale dhe operacionale, duke zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake.
Maqedonci ka njoftuar se gjatë këtij viti janë akreditur për herë të parë atashë të mbrojtjes jorezident në disa shtete.
“Krahas ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, kemi zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake përmes akreditimit të atasheve të mbrojtjes në shtetet partnere.Vetëm gjatë një viti janë akredituar për herë të parë atashe të mbrojtjes jorezident në këto shtete: Slloveni, Kanada, Konfederatë të Zvicrës dhe Holandë”, është shprehur ministri.
Tutje, ai ka pohuar se “përfaqësuesit tanë ushtarakë tanimë janë të pranishëm edhe në disa shtete të tjera me të cilat kemi bashkëpunim të shkëlqyer bilateral si në ShBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi, Kroaci e Shqipëri, ndërsa në proces është akreditimi i atasheve në Itali, Japoni e Republikë Çeke”.
“Zgjerojmë përfaqësimin dhe partneritetin për të ruajtur paqen, marrëdhëniet ndërkombëtare që ne zotohemi të mbrojmë: një rend të lirë dhe të hapur të bazuar në rregulla”, ka bërë të ditur Maqedonci.