Buxheti i Ndihmës Juridike Falas për vitin 2025 siguron më shumë vëmendje për grupet e prekshme, përmirësim të cilësisë së shërbimeve dhe mbështetje për më shumë qytetarë në çdo cep të Shqipërisë.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ndau sot shifrat e buxhetit për ndihmën juridike falas. Ai vuri në dukje rritjen me 14% të buxhetit total të ndihmës juridike falas, në krahasim me vitin 2024.
Gjithashtu, sipas Manjës ka rritje me 27% të fondit të pagave dhe sigurimeve shoqërore për punonjësit. Me anë të këtij buxheti sigurohet financim nga buxheti i shtetit për 20 qendra të shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore, nga 12 në vitin 2024.
Sa i përket Hartës së Re Gjyqësore, rritet numri i përfituesve të ndihmës juridike dytësore (likuidimi i avokatëve dhe tarifave gjyqësore) me 6%.
Po ashtu buxheti 2025 parashikon, ulje të shpenzimeve korrente për funksionimin e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe Qendrave të Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore.