Regjistrohen përleshjet në Karakas të Venezuelës, pas zgjedhjeve presidenciale dhe arrestimet e para nga policia të demonstruesve që dolën në rrugë për të protestuar kundër shpalljes së fitores së Nicolas Maduro.
Regjimi dëboi ambasadorët e Argjentinës, Kilit, Kosta Rikës, Perusë, Panamasë, Republikës Domenikane dhe Uruguait, duke i akuzuar këto kombe për “ndërhyrje”. Opozita nga ana tjetër kundërshton rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa ka akuzuar Maduron për manipulim të votave. Udhëheqësja anti-Chavista Maria Corina Machado dhe ish-ambasadori Edmundo Gonzalez Urrutia thonë se “kanë prova për të vërtetuar të vërtetën” dhe se ata fituan “me më shumë se 73% të votave”.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro fitoi rizgjedhjen për një mandat të tretë gjashtëvjeçar me 51.2 për qind të votave të hedhura të dielën. Këtë e bëri të ditur këshilli zgjedhor, i cili konfirmoi zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve mbrëmjen e së hënës, pas një fushate të njollosur me akuza nga opozita për manipulime.
Elvis Amoroso, president i organit elektoral CNE, besnik ndaj qeverisë, u tha gazetarëve se 44.2 për qind e votave shkuan për kandidatin e opozitës, Edmundo Gonzalez Urrutia, i cili kryesonte në sondazhe. Pjesëmarrja në votime ishte 59%. CNE denoncoi gjithashtu “një sulm ndaj sistemit që shkaktoi vonesa”. Shefi i OKB-së Antonio Guterres bën thirrje për “transparencë të plotë” për rezultatet e votimit në Venezuelë, tha zëdhënësi i tij. Në mbrëmje, në kryeqytetin Karakas shpërthyen protesta kundër fitores së diskutueshme.