Feride Rushiti, një prej emrave më të spikatur të të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) janë nominuar zyrtarisht për Çmimin Nobel për Paqe 2025.
Nominimi është bërë nga Magnus Jacobsson, anëtar i parlamentit suedez, në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës dhe torturës në Kosovë, transmeton IndeksOnline.
Në letrën e tij drejtuar Komitetit të Çmimit Nobel, Jacobsson vlerëson përkushtimin e Rushitit për trajtimin e pasojave të dhunës seksuale dhe torturës gjatë dhe pas Luftës së Kosovës (1998-1999).
Jacobsson e përshkruan nominimin e Rushitit dhe KRCT-së si një shembull frymëzues të guximit, dhembshurisë dhe përkushtimit për të promovuar paqen dhe drejtësinë në një botë të ndarë nga konfliktet. Ai thekson se puna e tyre përfaqëson thelbin e qëllimit të Çmimit Nobel për Paqe – krijimin e një të ardhmeje më humane dhe të drejtë.
Dr. Rushiti themeloi KRCT-në, organizatën e parë e këtij lloji në Kosovë, që ofron ndihmë mjekësore, psikologjike dhe juridike për mijëra të mbijetuar të luftës, duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe të drejtat e tyre të respektohen.
Një nga arritjet më të mëdha të Dr. Rushitit është avokimi i saj i suksesshëm për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale si viktima civile të luftës, që çoi në një kornizë ligjore të veçantë dhe reparacione financiare për të prekurit, një fitore historike e realizuar në vitin 2017. Ky ndryshim i rëndësishëm në Kosovë ka frymëzuar përpjekje globale për drejtësi dhe pajtim pas konflikteve.
Puna e saj për të përmirësuar standardet etike dhe ligjore për trajtimin e të burgosurve dhe për të forcuar të drejtat e njeriut ka sjellë një ndikim të thellë kombëtar dhe ndërkombëtar. Në vitin 2018, ajo u nderua me Çmimin Ndërkombëtar të Grave të Guximshme nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së për ndikimin e saj transformues në jetën e të mbijetuarve dhe rolin e saj udhëheqës në advokimin për të drejtat e njeriut.