Donald Trump është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka tejkaluar shifrën e 270 votave elektorale, duke shënuar rikthim të jashtëzakonshëm në politikë. Me një diferencë të madhe e ka lënë prapa kandidaten e demokratëve, Kamala Harris. Trump do të jetë presidenti i 47-të i SHBA-së.
Kur pritet ta marrë detyrën Trumpi si president?
Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kandidati republikan, si dhe ish-president, ka garuar kundër demokrates Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Trumpi ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral.
Një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota për t’u shpallur fitues. Fitorja e tij është konfirmuar pasi ka triumfuar në katër shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Ëiskonsin, Karolinë e Veriut dhe Georgia.
Pasi ka marrë votat e nevojshme elektorale, pritet që të votohet në Kolegj Zgjedhor e të certifikohet në Dhomën e Përfaqësuesve më 6 janar 2025.
Presidenti i ri merr detyrën më 20 janar 2025.
Rreth 150 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, në ose para ditës së zgjedhjeve.
Si u rikthye Donald Trumpi nga humnera politike?
Kur Donald Trumpi humbi ndaj Joe Bidenit më 2020, dukej sikur karriera e tij politike u shkatërrua.
Mandati i tij i parë në detyrë përfundoi në kaos dhe kritika – madje edhe nga anëtarët e partisë së tij. Nëse ai fiton zgjedhjet të martën, 5 nëntor, do të jetë hera e dytë që dikush kthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi ka humbur paraprakisht më herët rizgjedhjet presidenciale.
“Ai rrëzohet dhe ngrihet dy herë më i përqendruar”, ka thënë Bryan Lanza, i cili ka qenë këshilltar politik i ish-presidentit që kur Trumpi nisi fushatën e tij në vitin 2016. “Unë nuk mendoj se dikush duhet të jetë i befasuar për këtë rikthim”.
Një ndryshim i tillë i jashtëzakonshëm i fatit për ish-presidentin gjithashtu do ta kthente atë në Shtëpinë e Bardhë si një njeri që politikisht duket i pandikueshëm, me një plan të detajuar të veprimit dhe një radhë besnikësh prapa tij.
Ekzili jetëshkurtër
Katër vjet më parë, Trumpi doli i mposhtur. Kundërshtari i tij demokrat, Biden, e kishte mundur në garën presidenciale të vitit 2020.
Gjykatat i kishin hedhur poshtë përpjekjet e tij për t’i kundërshtuar rezultatet e atëhershme. Tubimi i tij i fundit, në të cilin ai u kërkoi mbështetësve të tij të marshonin drejt Capitolit të SHBA-së ndërsa ligjvënësit po certifikonin rezultatet, kulmoi me turmën që nisi një sulm të dhunshëm duke bërë që ata që ishin brenda të kërkonin siguri. Qindra zyrtarë u lënduan.
Sekretarja e Arsimit, Betsy DeVos, dhe ajo e Transportit, Elaine Chao, ishin në mesin e një numri zyrtarësh të administratës Trump që dhanë dorëheqje në shenjë proteste. Madje edhe senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, një nga aleatët më të ngushë të Trumpit, u nda me presidentin.
“Krejt çka mund të them, është të mos më llogarisni”, pati thënë ai në Senat. “Mjaft është mjaft”.
Largimi nga Trumpi u shtri në botën e korporatave, pasi dhjetëra kompani të mëdha – duke përfshirë “American Express”, “Nike” dhe “Walgreens” – njoftuan ndaljen e mbështetjes për republikanët të cilët kishin kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të 2020-s.
Në ditën e inaugurimit të Bidenit, Trumpi theu traditën 152-vjeçare duke refuzuar të merrte pjesë në ceremoni, e në vend të kësaj u kthye në rezidencën e tij private në Mar-a-Lago herët atë mëngjes, i shoqëruar nga një pjesë e vogël e ndihmësve të tij më të afërt dhe familjes.
Ai ishte i ngrysur, sipas Meridith McGraw, autore e librit “Trumpi në Ekzil”, një rrëfim i kohës së ish-presidentit pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
“Ai ishte i zemëruar, i frustruar, i pasigurt se si t’i kalonte ditët dhe pa një plan për të ardhmen e tij politike”, ka thënë ajo.
Mbulimi mediatik dhe diskutimet politike atë muaj, reflektuan pasigurinë për të ardhmen e tij. Pas një humbjeje të qartë elektorale ndjekur nga skenat kaotike në Capitol, disa ishin edhe më të sigurt se nuk kishte rrugë kthimi për Trumpin.
“Dhe kështu, karriera e guximshme, e zjarrtë dhe ndonjëherë brilante e Donald J. Trumpit merr fund”, thuhej në një artikull në “The Hill”.
Nëntitulli i një opinioni të janarit 2021 në “The New York Times” ishte: “Eksperimenti i tmerrshëm ka përfunduar”. Titulli ishte edhe më direkt: “Presidenti Donald J. Trump: Fund”.
Por, para se Trumpi të nisej për në Florida në ditën e inaugurimit, ai la të nënkuptohej se çfarë do të vinte më pas.
“Ju duam”, pati thënë ai për mbështetësit e tij në një pistë të bazës së Forcave Ajrore të Marylandit. “Ne do të rikthehemi në një formë”.
Një javë më vonë, u bë e qartë se Trumpi nuk do të duhej të priste gjatë për të shfaqur ndikimin e tij të vazhdueshëm politik. Partia iu kthye atij.
Kongresisti i Kalifornisë, Kevin McCarthy, lideri republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, e vizitoi ish-presidentin në Mar-a-Lago, duke shkrepur një foto pranë një Trumpi që po “rrezatonte”.
Menjëherë pas sulmit të 6 janarit, McCarthy pati thënë se Trumpi “bart përgjegjësi” për dhunën e turmës dhe rekomandoi që Kongresi ta ndëshkonte zyrtarisht për sjelljen e tij. Tani, ai po shprehte gatishmërinë që të punonte me ish-presidentin për të fituar një shumicë në Kongres në zgjedhjet e një viti më pas.
Edhe kur Senati i SHBA-së i kontrolluar nga demokratët po përgatitej të zhvillonte gjykimin ndaj Trumpit, vizita e McCarthyt tregonte se një nga republikanët më të fuqishëm në Kongres ende e shihte ish-presidentin si një person me ndikim.
“Vizita e McCarthyt vërtetë e hapi derën për Trumpin”, ka thënë McGraw. “Ishte një leje për republikanët të cilët e kishin kritikuar Trumpin që ta falnin dhe të ecnin përpara”.
Gjyqi i Senatit ndaj Trumpit do të përfundonte me pafajësi, pasi shumica e republikanëve – përfshirë disa kritikë të hapur, si lideri i pakicës Mitch McConnell – votuan kundër një dënimi që mund të kishte çuar në ndalimin e ish-presidentit nga gara për post presidencial.
McConnell pati thënë se sjellja e Trumpit më 6 janar ishte “një shpërfillje e turpshme e detyrës”, megjithatë ai zgjodhi që të mos e bënte hapin që mund t’i kishte dhënë fund përfundimisht karrierës politike të ish-presidentit – ndoshta nga frika se do t’i jepte fund edhe karrierës së vet.
Republikanët u shqetësuan po ashtu se ish-presidenti mund të krijonte një parti të tretë që do ta largonte mbështetjen nga republikanët.
“Qartazi është në dorën e republikanëve nëse kjo është diçka që bëhet më serioze”, pati thënë Jason Miller, këshilltar i komunikimit i Trumpit për kohë të gjatë, për “Fox News”.
Ish-presidenti kaloi një muaj kryesisht brenda Mar-a-Lagos, duke dalë vetëm për ndonjë raund golfi ose darkë private.
Në fund të shkurtit, teksa zhurma rreth 6 janarit u zbeh, ai ishte gati ta mbante eventin e tij të parë publik.
Në Konferencën e Veprimit Politik Konservator – konferenca zakonisht mbahet afër Washingtonit, por ajo u zhvendos në Orlando, Florida, për shkak të kufizimeve për COVID – Trumpi tregoi se ai ende komandonte besnikërinë e bazës republikane.
“Qëndroj sot para jush për të deklaruar se udhëtimi i mrekullueshëm që e kemi nisur bashkë është larg përfundimit”, pati thënë ai.
Ai la të nënkuptohej se mund t’i mundte demokratët “për herë të tretë” më 2024.
Një sondazh i pjesëmarrësve të konferencës vetëm sa përshfaqi atë që deri atëherë ishte e qartë. 68 për qind e të anketuarve thanë se Trumpi duhet të kandidojë përsëri.
“Trumpi dhe ekipi i tij ishin mjaft nervozë për atë fjalim”, ka thënë McGraw. “Psikologjikisht ishte një moment shumë i rëndësishëm për Trumpin dhe aleatët e tij kur ai pati një pritje aq pozitive”.
Pas një pauze të shkurtër, Trumpi riaktivizoi mbledhjen e fondeve te mbështetësit e tij dhe rifilloi mbajtjen e mitingjeve.
“A ju mungoj?” pyeti Trumpi në një tubim në Ohio. Turma u përgjigj me brohoritje.
“Atyre ju mungoj”, dha konkluzionin ai.
Uljet dhe ngritjet
Nëse viti 2021 la të kuptohej për ndikimin e vazhdueshëm të Trumpit brenda Partisë Republikane, zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të vitit 2022 e konfirmuan.
Deri atëherë, forcat ushtarake amerikane ishin tërhequr nga Afganistani, duke çuar në rënien e qeverisë afgane të mbështetur nga SHBA-ja. Çmimet e gazit dhe inflacioni po u afroheshin niveleve më të larta që nuk ishin parë në dekada. Rritja ekonomike e SHBA-së, e cila ishte rikthyer nga pandemia, shkoi në rënie.
Vlerësimet për Bidenin pësuan rënie të dukshme. Mjedisi politik që ishte dukur aq armiqësor ndaj Trumpit në fillim të vitit 2021, kishte filluar të ndryshonte.
“Joe Bideni dështoi të adresonte shqetësimet fillestare të votuesve”, ka thënë Lanza. “Kjo ia hapi Donald Trumpit një dritare”.
Mar-a-Lago u bë pikë ndalimi e detyrueshme për çdo kandidat konservator që kërkonte të bëhej i nominuar partisë së tyre. Miratimi nga ish-presidenti ishte çmimi më i lakmueshëm – një çelës për të zhbllokuar mbledhjen e fondeve dhe mbështetjen konservatore në themel.
Katër nga gjashtë anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për gjykimin e Trumpit dhe po konkurronin për rizgjedhje, u mundën nga kandidatët e mbështetur nga Trumpi në zgjedhjet partiake. Ndërkohë, kandidatët për Senat si JD Vance në Ohio dhe Herschel Walker në Georgia dolën përpara me ndihmën e mbështetjes së Trumpit.
“Mbështetja e tij ju garanton vetëm një fitore fillestare”, pati thënë Brian Seitchik, i cili punoi si drejtor në Arizona për ekipin e fushatës së Trumpit më 2016.
Nga katër kandidatët për Senat të aprovuar nga Trumpi, vetëm një, Vance, mundi kundërshtarin e tij demokrat. Ndërsa republikanët rimorën ngushtë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, duke e ngritur Kevin McCarthyn në kryetar, partia rezultoi keq dhe demokratët e mbajtën kontrollin e Senatit.
Në Florida, guvernatori Ron DeSantis pati një fitore beafuese të rizgjedhjes, duke nxitur spekulime se ai mund të jetë kryesuesi për nominimin presidencial të republikanëve më 2024.
Vetëm disa javë pas zgjedhjeve të mesmandatit, kur ekspertët ende po pyesnin nëse momenti politik i ish-presidentit kishte kaluar, Trumpi nisi fushatën e tij presidenciale të 2024-tës.
Rruga drejt nominimit
Nisja e fushatës presidenciale ishte e çuditshme. Pak javë pas dështimit në zgjedhjet e mesmandatit, ish-presidenti u bë kryelajm. Njerëzit po pyesnin nëse ka humbur instinktet politike.
Njoftimi zyrtar e bëri fushatën fillimisht të papërshtatshme për realitetin aktual politik.
Në fillim të fushatës u pa duke ngrënë me Nick Fuentesin, nacionalist i njohur dhe duke postuar në rrjete sociale se Kushtetuta e SHBA-së duhet të marrë fund, e që t’i lejohet riemërimi si president.
“Ai ka njoftuar se do të garojë për president, por a jemi të sigurt se do t’ia dalë?” kishte deklaruar atë kohë McGraw që vinte në pikëpyetje disiplinën e Trumpit.
Prapa skenës, Trumpi po niste operimet. Përvoja e tij ia dha shtytjen e parë në Florida duke marrë nën shoqëri Chris LaCivitan dhe Susie Wilesin, dy emra të panjohur fillimisht, por me përvojë të theksuar.
Përderisa DeSantis ishte në shkëlqim, Trumpi ia arriti që ta eliminonte.
Në këtë kohë nisën edhe hetimet ndaj Trumpit, duke nisur nga hulumtimet e FBI-së për dokumente të ndjeshme kombëtare në Mar-a-Lago në gusht të 2022-s dhe kulmimit me seri akuzash më 2023. Pas kësaj, rreziku që ish-presidenti të shihej prapa grilave, tejkaloi nominimin.
Për shumë në mesin e Republikanëve, me këtë gjithçka mori fund, por jo edhe te disa votues konservatorë që në disa shtete veçse nisën t’i japin gazit për t’u mbledhur rreth liderit të partisë.
Në një sondazh të Republikanëve në Iowa në qershor të 2023-s, një javë pasi Departamenti i Drejtësisë e paditi Trumpin nën dyshimin për keqpërdorim të dokumenteve të ndjeshme kombëtare, u pa se Trumpi ishte në ngritje.
Sipas Lanzas, akuzat krijuan ndarje brenda partisë.
Deri në vjeshtën e 2023-s, Trumpi veçse mori epërsi masive në shumicën e sondazheve paraprake republikane – diferencë që më pas nuk e lëshoi kurrë. Ai shmangte debatet dhe u fokusua në fitimin e mbështetjes kryesisht në fushat ekonomike.
Pavarësisht se grumbulloi 200 milionë dollarë në fonde fushate, DeSantis u tërhoq nga në janar të 2024-s. Trumpi më pas e mposhti lehtësisht ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, dhe gara tashmë konsiderohej e mbyllur.
Për zgjedhjet e treta rresht, ai ishte i nominuari.
Gjykimet dhe triumfet
Drama gjyqësore e ish-presidentit mund të ketë qenë ndihmë për përfitimet e tij politike, por erdhi edhe me rrezikun e madh. Në maj të 2024-s, një juri në Manhattan e dënoi Trumpi për 34 akuza që lidheshin me pagesa për yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels.
Çdo dënim, megjithatë, dukej se pasohej me fitore të madhe. Më pas aktakuzave u vendos që Trumpit të mos i pengohet rruga e garimit për president.
Ai tashmë ishte duke u përgatitur për garën e madhe – me Joe Bidenin. Në debatin e fundqershorit, Trumpi përfitoi më së shumti duke lënë prapa presidentin konfuz.
Vlerësimi për Trumpin po rritej në vazhdimësi. E pas atentatit ndaj tij në Pensilvani në maj të korrikut, Trumpi u prit si hero në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee.
“Ajo që pamë në Konventë ishte se sa e unifikuar ishte Partia Republikane, për herë të parë pas një kohe të gjatë”, ka thënë McGraw. “Ata ndiheshin tepër të sigurt”.
Shefi i Teslas, Elon Musk – njeriu më i pasur në botë – publikisht doli në përkrahje të Trumpit dhe nisi financimin e organizimeve masive në shtetet e papërcaktuara.
Në atë moment dukej sikur kthimi i Trumpit nga trazirat e 6 janarit 2021 – u përmbush. Nga fitoret ndaj DeSantisit dhe rivalët tjerë të brendshëm, Trumpi u kthye në goditje të fuqishme edhe për Bidenin dhe Demokratët.
Tre ditë pasi Trumpi mori nominimin zyrtar të Partisë Republikane, Bideni braktisi garën dhe i ofroi përkrahje zëvendëspresidentes Kamala Harris.
Për pak javë, Harrisi konsolidoi mbështetjen e partisë së saj, ktheu entuziazmin dhe madje doli përpara në disa sondazhe.
Përpjekjet e Trumpit për rikëndellje nuk patën sukses as në debatin të cilin e humbi përballë Harrisit në shtator.
“Trumpi me të vërtetë nuk u testua deri kur Harrisi u fut në garë”, ka thënë Seitchik. “Gjithçka deri në atë pikë dukej pothuajse parasezon i zgjatur i fushatës”.
Tani sezoni është në fund dhe kampioni ende në dyshim.
Gara konsiderohet aq e ngushtë sa që “foto-finishi” do të duhet për të parë kush del në krye.
Trumpi 78-vjeçar nuk ka pranuar të thotë se ka humbur më 2020. Ka shtuar retorikën e ashpër dhe ka mbajtur tubime të stërzgjatura për të goditur përpjekjet që t’i mvishet “plakja” siç ai ia atribuonte Bidenit sa ai ishte në garë.
Trump ishte në qendër të vëmendjes për 9 vjet në politikë dhe për më shumë se katër dekada në biznes. Duket i palodhur.
Premtimet e tij për imigrantët, dëbimi masiv i personave pa dokumente dhe vendosja e tarifave ndaj produkteve të jashtme, Trumpi paraqet riorientim themelor të Partisë Republikane, sipas Seitchikut.
Irani reagon pas fitores së Trumpit
Zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve në SHBA nuk do të ndikojnë shumë në Iran, ndërsa kursi i këmbimit të rialit kundrejt dollarit amerikan arriti një rekord të ulët të mërkurën.
“Zgjedhja e presidentit të SHBA-së nuk ka të bëjë asgjë specifike me ne. Politikat kryesore të Amerikës dhe Republikës Islamike janë fikse dhe nuk do të ndryshojnë shumë”, ka thënë Mohajerani, raporton AP.
Donald Trumpi ka arritur 277 nga 270 votat elektorale të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë.
Ai njihet për qëndrimin e tij të ashpër kundër Iranit, ndër të tjera. Në vitin 2018 ai tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e Iranit, duke rivendosur sanksionet gjymtuese ndaj Iranit.
Kurti uron Trumpin: Mezi po pres të punojmë së bashku për përparim dhe paqe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për zgjedhjen si president i SHBA-së.
Trumpi po projektohet si fitues i zgjedhjeve në SHBA.
“Urime president Donald Trump në fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është aleat kyç, mike dhe partner e Kosovës dhe presim me padurim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
Trump zgjidhet president i SHBA-së
Donald Trump është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka raportuar AP. Ai ka tejkaluar shifrën e 270 votave elektorale, duke shënuar rikthim të jashtëzakonshëm në politikë.
Me një diferencë të madhe të votave e ka lënë prapa kandidaten e demokratëve, Kamala Harris.
Ai fitoi edhe në shtetin e Wisconsinit.
Trump do të jetë presidenti i 47-të i SHBA-së.
Ursula Von der Leyen uron Trumpin
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka përgëzuar kandidatin republikan, Donald Trump, i cili të mërkurën ka shpallur fitoren në zgjedhjet në SHBA.
Von der Leyen ka shkruar në X se BE-ja dhe SHBA-ja janë më shumë se thjesht aleatë.
“Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike që vazhdon të ofrojë për ta”, ka shkruar von der Leyen.
Liderët botërorë urojnë Trumpin
Liderët botërorë kanë nisur ta urojnë Donald Trumpin për fitoren e zgjedhjeve presidenciale edhe pse zyrtarisht ende nuk është shpallur një fitues.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka qenë ndër të parët. Ai e ka quajtur atë “rikthimin më të madh në histori”.
“Rikthimi yt historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një ripërkushtim të fuqishëm për aleancën mes Izraelit dhe Amerikës”, ka shkruar ai në X.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po ashtu ka reaguar.
“Urime president Donald Trump. Të gatshëm të punojmë bashkë ashtu si kemi bërë për katër vjet”, ka shkruar ai.
E kryeministri britanik, Keir Starmer, po ashtu e ka quajtur fitore historike.
“Si aleatët më të afërt, qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes”, ka thënë Starmer ndër tjerash.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është “fitore mbresëlënëse” e Trumpit. Ai ka thënë se vlerëson “angazhimin e Trumpit për qasjen ndaj paqes”.
“Unë shpresoj se do ta vëmë në veprim së bashku. Ne presim një epokë të SHBA-së së fuqishme nën udhëheqjen vendimtare të presidentit Trump”.
Opozita uron Trumpin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Ai ka shkruar të mërkurën në Facebook se rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Lidhjen me SHBA-në, Abdixhiku e cilësoi të bekuar dhe të pazëvendësueshme.
“Populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aleatin tonë strategjik të së shkuarës e të së ardhmes! Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane! Rikthimi i Kosovës në agjendën e Ëashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-të ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”, ka shkruar deputeti opozitar i LDK-së.
Ndërsa, urime i ka dërguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ai tha se lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së shkon përtej politikës.
“Lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon gjithmonë përtej politikës. Roli i SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit është dëshmi e një raporti të ndërtuar mbi vlera, besim dhe respekt të veçantë. Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ne ritheksojmë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë – SHBA, përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajonin tonë”, ka thënë Krasniqi.
Shefi i NATO-s e uron Trumpin: Lidershipi i tij do të jetë vendimtar për ta mbajtur aleancën të fortë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka uruar Donald Trumpin për zgjedhjen si president i SHBA-së. Trump është duke kryesuar dukshëm në garën për president të SHBA-së, ndërsa sipas projeksioneve po i duhen vetëm edhe tri vota elektorale për t’u shpallur president.
Vetë Trump e ka shpallur fitoren.
“Dua të uroj Donald Trimpin për zgjedhjen e tij si president i SHBA-së. Lidershipi i tij sërish do të jetë kyç për ta mbajtur Aleancën të fortë. Mezi po pres të punojë sërish me të për ta vancuar paqen nëpërmjet fuqizimit të NATO-s”, ka shkruar Rutte në platformën “X”.
Rama uron Trumpin: Fitore e jashtëzakonshme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Ai ka shkruar në rrjetin social X se mezi pret të punojë me të, derisa u shpreh se ishte nder të punonte krah presidentit të 46-të, Joe Biden.
Fitoren e Trumpit, Rama e quajti të jashtëzakonshme.
Trumpin e ka uruar edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ai ka shkruar në rrjetin social X se Shqipëria e vlerëson miqësinë dhe partneritetin strategjik. Begaj u shpreh se mezi pret të forcojë bashkëpunimin me Trumpin.
Grenell: Amerika dhe bota kanë shpëtuar
Ish-i i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka deklaruar se me fitoren e Donald Trumpit Amerika dhe bota ka shpëtuar.
Ai ka shkruar në X të mërkurën se është me këtë fitore paqja do të vijë së shpejti. Amerika dhe bota ka shpëtuar.
“Ne e kemi mposhtur zgjimin e majtë. Paqja do të vijë së shpejti”, ka shkruar Grenell.
Ish-zyrtari amerikan është tallur me kandidaten e demokratëve, Kamala Harris, duke u shprehur se mosfitorja e saj minon demokracinë.
Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Ajo ka shkruar të mërkurën se SHBA-ja mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës.
“Mezi pres të punoj me administratën e re për t’i thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka deklaruar Osmani në rrjetin social X.
Trump e shpalli fitoren pasi po prin bindshëm në zgjedhje.
Vuçiqi e Orbani e urojnë Trumpin për “fitoren e madhe”
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, e kanë uruar Donald Trumpin për fitore të zgjedhjeve në SHBA, pavarësisht se ende nuk është shpallur zyrtarisht një fitues.
“Urime Donald Trump për fitoren. Bashkë, ne përballemi me sfida serioze. Serbia është e përkushtuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe”, ka shkruar Vuçiq në platformën X.
E, Orban e ka quajtur “rikthimin më të madh në historinë politike të SHBA-së”.
“Rikthimi më i madh në historinë politike të SHBA-së! Urime për presidentin Donald Trump për fitoren e tij të madhe. Një fitore shumë e nevojshme për botën”, ka shkruar ai.
Trumpi thotë se do t’i ndalojë luftërat në botë
Kandidati republikan për president i SHBA-së, Donald Trump, ka folur para mbështetësve të tij në Palm Beach, Florida, derisa atij i duhen edhe tri vota elektorale për t’u zgjedhur president.
Ai ka dalë para turmës bashkë me stafin dhe kandidatin republikan për zëvendëspresident.
Ai e ka përshkruar si “fitore politike” dhe ka falënderuar mbështetësit që e kanë zgjedhur si presidentin e 47.
“Ne do ta ndihmojmë vendin tonë të shërohet. Do të luftoj për familjen tuaja, për të ardhmen, çdo ditë do luftoj me çdo frymë timen”, ka thënë ai, duke shtuar se partia e tij ka bërë historinë.
Trump ka thënë më tej se kjo do të jetë “epoka e artë” për Amerikën.
“Kjo është një fitore madhështore për amerikanët, që do të na lejojë ta bëjmë Amerikën madhështore sërish”, ka theksuar ai.
Trumpi ka deklaruar se ai do t’i “ndalojë luftërat”.
“Nuk kemi pasur luftëra, për katër vjet nuk kemi pasur luftëra. Përveç se mposhtëm ISIS-in. Ata thanë se ‘ai do ta nisë një luftë’. Nuk do ta nisë një luftë. Unë do t’i ndaloj luftërat”, ka deklaruar ai.
Trumpit i duhen edhe tri vota elektorale për t’u zgjedhur president
Donald Trumpit i duhen edhe tri vota elektorale për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka raportuar AP-ja.
Aktualisht ai i ka 267 vota, pasi së fundmi u raportua se ka fituar në shtetin e Pensilvanisë.
Në anën tjetër, kandidatja e demokratëve, Kamala Harris, i ka 214 vota elektorale.
Sipas rezultateve të deritashme, Trumpi i ka rreth 5 milionë vota më shumë se Harris.
Trumpi fiton Pensilvaninë
Projeksionet e CNN-it e nxjerrin Donald Trumpin fitues edhe në shtetin e Pensilvanisë.
Ky shtet konsiderohet thelbësor në këtë proces zgjedhor, për shkak të garës presidenciale mes Trumpit dhe Kamala Harrisit.
Ndërsa, CNN tha se Trumpi ka fituar një votë elektorale në Nebraska, e një Harrisi.
Republikanët marrin kontrollin mbi Senatin
Një projeksion i CNN thotë se partia republikane do të marrë kontrollin edhe të Senatit amerikan. Ende po numërohen votat, por duket se demokratët kanë humbur shumicën efektive.
Ata shpresonin të merrnin një vend republikan për të kufizuar avancimin e partisë së Donald Trumpit, por sipas parashikimit, këtë s’kanë arritur ta bëjnë në Ted Cruz Teksas.
Harris fiton në New Hampshire
Kandidatja e demokratëve, Kamala Harris ka fituar shtetin e New Hampshire.
Ky shtet ka mbështetur demokratët në shtatë nga tetë zgjedhjet e fundit presidenciale, ka raportuar AP-ja.
New Hampshire historikisht ka qenë i pozicionuar kah demokratët.
Trumpi prin, pritet të flasë para mbështetësve
Kandidati i republikanëve për president, Donald Trump, pritet t’iu drejtohet votuesve në qytetin Palm Beach në Florida, ka raportuar AP-ja.
Shumë përkrahës të tij janë grumbulluar duke festuar, derisa kandidatja e demokratëve, Kamala Harris, nuk ka planifikuar të flasë.
Trumpi fiton në Karolinë të Veriut dhe në Georgia
Projeksionet e fundit të mediave ndërkombëtare bëjnë të ditur se kandidati i republikanëve, Donald Trump, ka fituar edhe në shtetin e Karolinës së Veriut, ndërsa Kamala Harris prin në Virginia.
Donald Trump ka fituar edhe në shtetin e Georgia, duke i kthyer 16 vota elektorale kah republikanët.
Numërimi i votave është duke vazhduar në shtetet kryesore, derisa në përditësimin e fundit Trump i ka fituar 230 vota elektorale. Harris i ka 210.
Në shtetet e tjera si Pensilvania, Wisconsin, Nevada, Michigan dhe Arizona, rezultatet s’janë shpallur ende, por në shumicën prej tyre prin Trumpi.