28
Një ekip arkeologësh nga Turqia ka zbuluar një tabletë balte të vjetër 3,500 vjet dhe ka arritur të deshifrojë shkrimin mbi të, duke arritur në përfundimin se kjo përmban një listë të blerjeve për tryeza dhe karrige, transmeton të mërkurën Live Science.
Rreshtat e parë në tabletën që daton nga shekulli XV para Krishtit detajojnë një listë blerjesh që përmban tryeza, karrige dhe stola druri. “Kjo tabletë është e dobishme për të kuptuar strukturën ekonomike dhe sociale nga fundi i Epokës së Bronzit”, tha Mehmet Ersoy, ministri turk i kulturës dhe turizmit.
Shkrimi mbi tabletën është kuneiform akadian, një formë shkrimi logo-silabike e zakonshme në Lindjen e Mesme nga ajo periudhë. Aktualisht konsiderohet një gjuhë e vdekur, akadianishtja është një nga gjuhët e para semitike që është folur që nga mijëvjeçari i III para Krishtit deri në shekullin I pas Krishtit. Kjo gjuhë është e lidhur me hebraishten dhe arabishten dhe është përdorur në një zonë të gjerë gjeografike, nga Irani deri në Egjipt dhe nga jugu i Irakut deri në Turqi.
Një ekip arkeologësh zbuloi tabletën, që mat 4 me 1.6 centimetra dhe peshon 28 gramë, gjatë punimeve të restaurimit pas një tërmeti që goditi sitin arkeologjik Alalakh në provincën Hatay.
Alalakh ndodhet pranë Antakya, në jug të Turqisë. Në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit, Alalakh ishte kryeqyteti i mbretërisë Mukish dhe vendbanimi më i madh në rajon. Amorrit, një popull semit nga perëndimi i Mesopotamisë (Siria e sotme), pushtuan këtë rajon që aktualisht është i mbushur me kodrina të mëdha ose “telle” – kodra artificiale, vendbanime të braktisura për disa shekuj.
Në shekullin XV para Krishtit, qyteti Alalakh ishte pjesë e Perandorisë Mittani (një shtet i dobët i organizuar i hurrianëve në veriun e Sirisë dhe juglindjen e Anatolisë gjatë periudhës rreth 1500 para Krishtit – 1300 para Krishtit i themeluar nga indo-iranianët që u vendosën mes popujve hurrian në rajon). Rajoni ishte i njohur për qeramikën lokale por edhe për përpunimin e metaleve dhe qelqit. Rreth vitit 1350 para Krishtit, mbreti Shattiwaza i mbretërisë Mittani humbi qytetin Alalakh dhe rajonin në perëndim të Lumit Eufrat përballë mbretit hitit Suppiluliuma. Arkeologët studiojnë tabletat me shkrim kuneiform të zbuluara në vendbanimet e lashta të rajonit për të kuptuar më mirë dinamikën sociale të zonës.