Në mes të marsit, partitë do të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dy lista me kandidatë për deputetë. Lista e mbyllur që e rendit partia dhe fitojnë të parët mandate, dhe lista e hapur, ku fituesit i përcakton vota preferenciale e zgjedhësit.
Ky kombinim që aplikohet për herë të parë, edhe pse formalisht plotëson kushtet që kandidatet gratë të jenë të paktën në masën 30%, në praktikë rrezikon të ulë përfaqësimin real, sidomos në qarqet e vegjël, ku lista e mbyllur është me 2 mandate.
“Në disa qarqe që kanë shumë pak mandate, pjesa e ndarjes mes listës së hapur dhe listës së mbyllur, mund të sjellë më pak përfaqësim.”, thotë Edlira Çepani, Qendra “Barazi në vendimmarrje”.
“Ka një lloj konfuzioni dhe nuk ka asnjë lloj sigurie, se si do të jetë renditja finale e grave”, shprehet Gerta Meta, Shoqata për Kulturë Demokratike.
Aktivistet Çepani dhe Meta ju bëjnë thirrje partive që t’i mbrojnë gratë, duke kandiduar shumë prej tyre në listën e mbyllur.
“Ligji në këtë drejtim nuk bën dot më shumë se kaq, por është shumë i rëndësishëm vullneti i partive politike, për të pasur një listë sa më gjithëpërfshirëse”, vijon Çepani.
“Sërish kjo situatë do të jetë në dorën e partive politike, për të parandaluar një garë të padrejtë dhe të pandershme mes kandidateve gra dhe burra”, thotë Gerta Meta.
Në vlerësimin e eksperteve, gratë kanë më pak shanse në terren, për të fituar betejën kokë më kokë me burrat në listat e hapura.
“Në listat që ata po përpilojnë të kenë njerëzit e duhur për komunitetet. Të zbatohet meritokracia dhe të jenë realisht ata njerëz që i duan shqiptarët dhe duan një Shqipëri më të mirë”, deklaron Edlira Çepani e Qendrës “Barazi në vendimmarrje”.
“Natyrisht dhe politika që bëjnë palët është që gratë i lënë në fund të listës, dhe kjo e vështirëson mundësinë e grave për të fituar garën. Dhe patjetër që kur janë kokë më kokë një burrë dhe një grua, ne e dimë që mbështetja është më e madhe për burrat, sepse edhe loja politike është shumë më e fortë, gratë janë më të tërhequra dhe më të kujdesshme”, vijon Gerta Meta e Shoqatës për Kulturë Demokratike.
Gjithsesi, në listën e hapur, ka një mekanizëm korrigjues. Të parët do të marrin mandat 2 më të votuarit, e nëse të dy janë burra, atëherë fituesi i tretë do të jetë gruaja më e votuar e listës, edhe nëse ajo ka marrë më pak vota se burrat. Sipas përllogaritjeve bazuar në rezultatet e parlamentareve të 2021-shit, pjesa dërrmuese e deputetëve, rreth 100 pritet të përcaktohen nga renditja e partive në listat e mbyllura, ndërsa vetëm 40 ligjvënësve pritet të dalin prej votës parapëlqyese të shqiptarëve.