Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte e drejtë dhe e pastër, ka mbrojtur pragun dhe jetën e shqiptarëve. Kështu deklaron Rafiz Aliti, i njohur si Komandant “Msusi”.
“Msusi” i luftës thotë se si përfaqësues politik për statusin e ish ushtarëve ka biseduar me dy kampet politike, si me LSDM po edhe me VMRO-në.
“Lufta ishte e drejtë, ne i mbrojtëm vatrat tona, ne nuk shkuam as në Strumicë as në Vallandovë që ti okupojmë shtëpitë e tyre, përkundrazi, ata që thirren se ishin “branitella” granatuan fshatrat dhe shtëpitë shqiptare. Ishin ata që pësuan, civilët, nëpër fshatrat tonë. I them këto se gjërat duhet të thuhen dhe shiqohen drejtë pasiqë ka kaluar një kohë. Gjithsesi se statusi i ish ushtarëve të UÇK-së duhet të zgjidhet, ne kemi pasur bisedime edhe me LSDM-në edhe me VMRO-në, por nuk kemi arritur në atë pikë që të bëjmë një marrëveshje. Qeveria jo-legjitime, do të thoja për shkak se është jo legjitime të zgjedh këtë çështje. Gjithsesi, çdo iniciativë e sinqertë në këtë drejtim do ta ketë përkrahjen tonë”, tha Msusi.
Komenton edhe propozimin e fundit për ligjin e “Branitellave”.
“Çdo iniciativë do të thoja e njëanshme do të thoja se është provokim. Të gjithë ndjehemi të provokuar prej kësaj. Nuk është e ndershme nga cilido subjekt politik që merr iniciativa të këtilla, them se nuk është e ndershme që ti vendos në rrafsh të pa barabartë ata që luftuan 2001-shin. Pavarësisht në cilën anë është. Ne, e them edhe njëherë kemi qenë dhe jemi të gatshëm. Unë kam bërë edhe thirrje publike që për iniciativa të sinqerta jam i gatshëm të ulem me secilin dhe të arrijmë marrëveshje dhe të sjellim një ligj, gjithëpërfshirës”, deklaroi ai.
Ndryshe, Rafiz Aliti, “Msusi” ka qenë Komandant i UÇK-së, brigada 115, pas luftës ka qenë aktiv edhe në politikë. Ka vepruar në partinë e dalë nga lufta, Bashkimi Demokratik për Integrim.