Lidhja e Bizneseve ka bërë thirrje që të forcohen shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Duke u bazuar në të dhënat e fundit të shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, vitin e kaluar vendi ynë ka importuar mallra nga Shqipëria në vlerë prej 325 milionë euro, ndërsa eksportet tona drejt Shqipërisë kanë arritur vlerën prej 112 milionë euro”, thuhet në një njoftim.
Nga 1 janari deri në nëntor 2024, eksportet e Kosovës në Shqipëri kanë arritur në 147 milionë euro, ndërkohë që importet nga Shqipëria kanë shkuar në rreth 298 milionë euro.
“Pra, mund të themi se ka një rritje të vlerës së importeve dhe eksporteve, por në aspektin e sasisë dhe konsumit, kemi një rritje solide. Kjo sugjeron se, ndonëse janë arritur disa rezultate pozitive, ka ende shumë hapësirë për përmirësim dhe rritje të mëtejshme”, thuhej më tej.
Për të arritur një avancim të qëndrueshëm dhe të ndjeshëm në këtë drejtim, sipas Lidhjes së Bizneseve, është thelbësore që të dy shtetet të mobilizohen për të promovuar më shumë prodhimet e tyre, si në tregun vendor ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare.
Kosova dhe Shqipëria kanë një potencial të madh për të rritur shkëmbimet tregtare, dhe kjo mundësi duhet shfrytëzuar në mënyrë të plotë, sepse ka shumë mundësi që shifrat të dyfishohen dhe të sjellin një rritje të ndjeshme ekonomike për të dyja vendet.
“Për këtë arsye, ne besojmë se është e nevojshme një koordinim më i madh dhe një angazhim më i fortë nga të dy shtetet për të nxitur prodhimet vendore dhe për të krijuar kushte më të mira për bizneset që të rrisin eksportet dhe importit. Vetëm me një bashkëpunim të tillë, mund të arrijmë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe të krijojmë mundësi të reja për zhvillim”, thuhej në njoftim.