Të vërtetat që mbartim është libri autobiografik i zëvendëspresidentes amerikane, Kamala Harris, në rrugëtimin e saj në poste të rëndësishme në drejtësi dhe politikë.
Një zyrtare e rreptë e zbatimit të ligjit dhe reformatore, autorja na rrëfen se të drejtat dhe liritë e fituara nga brezat, bartin amanetin për t’i ruajtur nga kërcënimet e kohës. I botuar në SHBA në vitin 2018, libri vjen tani për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese Mediaprint, me përkthimin e Monika Stafës dhe Alda Bardhylit.
“Do ta quaj një manual shumë të mirë idesh, një pamflet politik, i cili përshfaq të gjithë rrugëtimin e një personazhi të rëndësishëm të politikës së kohës. Të gjithë idetë që zonja Harris përshfaq janë ide vizionare, që pasurojnë mendimin shqip dhe janë ide që i vlejnë thelbit të një politike bashkohore, ku duhet të shkojë politika shqiptare”, shprehet Alda Bardhyli
Të vërtetat që mbartim nis me një parathënie nga Linda Rama, sipas së cilës ky libër i shkruar me sytë e mendjes te liria të jep mundësinë të reflektosh…
“Është një libër shumë i fuqishëm. Është një figurë e jashtëzakonshme. Do kisha dëshirë ta lexonin sa më shumë. Besoj se kushdo që do ta lexojë do të dalë me më shumë dilema, se sa kërshëria që mund të të shoqërojë momentin kur ti e merr librin”, shprehet Linda Rama.
E përkushtuar ndaj komuniteteve në vështirësi, me një zë të fortë për të drejtat e njerëzve, Harris kërkoi drejtimin për Shtëpinë e Bardhë, por tani që gara për presidentin përfundoi, libri na fut në hullinë e pyetjeve të tjera, shprehet zonja Rama.
“Pse një grua kaq e fuqishme që kishte shënuar vetëm suksese në karrierën e saj si prokurore dhe si politikane, nuk arriti dot të ishte presidentja e SHBA-së. Çfarë i mungoi profilit të saj për t’u bërë fituese?’, shton Linda Rama.