Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha ka hedhur akuza se kryeministri Rama dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha po bëjnë pazar për mbylljen e listave, teksa pakti mazhorancë-opozitë për Reformën Zgjedhore votohet sot në Kuvend.
Basha, në një postim në rrjetet sociale, iu bëri thirrje deputetëve që të mos bëhen pjesë, sipas tij, e këtij pazari në dëm të interesit publik.
“Për këto arsye, të gjithë ata deputetë që e kanë më të qartë se kurrë që amnistimi i të korruptuarve, mbyllja e listave dhe shantazhi ndaj drejtësisë nuk janë akuza politike, por fakte të konstatuara edhe nga institucionet ndërkombëtare, sot nuk duhet të bëhen pjesë e këtij pazari në dëm të interesit publik”, shprehet Basha.
Ai shkruan se “sot është dita për të bërë gjënë e duhur, sepse shqiptarët meritojnë një Reformë Zgjedhore të vërtetë, që fuqizon votën e tyre dhe e kthen parlamentin në shërbim të qytetarëve.”
Deklarata e plotë:
Raporti i Komisionit Europian për Sundimin e Ligjit ka konfirmuar drejtësinë e qëndrimit tonë të kahershëm kundër amnistimit të të korruptuarve të votuar nga Rama dhe Berisha, një pazar antidrejtësi, i cili ka ngritur shqetësime edhe për Bashkimin Europian.
Trysina politike mbi sistemin gjyqësor, korrupsioni i përhapur në shumë fusha, korrupsioni zgjedhor dhe një shkallë e lartë e përqendrimit në mjedisin mediatik shqiptar, janë pasqyra europiane në të cilën reflektohen qartë deformimet e qeverisë dhe ortakëve të saj të teatër-opozitës.
Përpjekjet e Ramës dhe Berishës për të penguar drejtësinë, janë arsyeja e këmbënguljes sonë për një mbështetje pa kushte të SPAK, nëpërmjet krijimit të mundësive me burime njerëzore dhe infrastrukturë materiale, në mënyrë që investimi më i madh i shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, të mos cenohet nga frika e dinosaurve të tranzicionit prej fundit të pandëshkueshmërisë.
Është e qartë pse, pavarësisht propozimeve tona konkrete përmes amendamenteve të dorëzuara në Kuvendin e Shqipërisë për të mbështetur SPAK-un në përballjen me mangësitë që i thekson edhe raporti i Komisioinit Europian, Rama ka vijuar me rrethimin ndaj tij. Madje, bashkë me Berishën kanë arritur të trysnojnë drejtësinë nëpërmjet votimit të amnistisë për lirimin e të korruptuarëve, duke dhënë mesazhe të qarta shantazhuese, që pas pazarit të vulës, do të vijojë me sulmin frontal ndaj Prokurorisë të Posaçme, e cila kërcënon status quo-në që duan të mbrojnë me çdo kusht.
Dhe sot është dita në të cilën Rama dhe Berisha do kërkojnë të arrijnë në stacionin e radhës të planit të tyre kundër SPAK, sepse allishverishi për të mbyllur listat, është vetëm bërja gati e trupës së kamikazëve të pavotuar nga qytetarët, që iu duhen në përballjen e tyre me drejtësinë.
Për këto arsye, të gjithë ata deputetë që e kanë më të qartë se kurrë që amnistimi i të korruptuarve, mbyllja e listave dhe shantazhi ndaj drejtësisë nuk janë akuza politike, por fakte të konstatuara edhe nga institucionet ndërkombëtare, sot nuk duhet të bëhen pjesë e këtij pazari në dëm të interesit publik.
Sot, është dita për të bërë gjënë e duhur, sepse shqiptarët meritojnë një Reformë Zgjedhore të vërtetë, që fuqizon votën e tyre dhe e kthen parlamentin në shërbim të qytetarëve.