Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë senacë plenare me vetëm një pikë të rendit të ditës.
Në këtë senacë, do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Njoftimi u bë nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se seanca do të fillojë nga ora 10:00 e paradites.
Për këtë seancë kryeministri Albin Kurti ka folur dje nga Frankfurti i Gjermanisë në një tubim që zhvilloi atje me mërgimtarët.
Ai ka thënë se buxheti i 2025-tës do të jetë 3.6 miliardë apo 9% më i madh se i vitit të kaluar.
“Ne do të kthehemi me zv.kryeministren Donika në Kosovë për shkak se e kemi seancën plenare për projektbuxhetin 2025 në Republikën tonë. Ky buxhet është 3.6 miliardë euro, është 9% më i lartë se buxheti i vitit të kaluar dhe krahasauar ta zëmë me vitin parapandemik 2019 të hyrat buxhetore që janë 3.3 milardë janë 74% më të larta”, ka thënë Kurti.
Kujtojmë se partitë opozitare, PDK, LDK e AAK kanë thënë se nuk do ta votojnë buxhetin.
Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri javën e kaluar ka deklaruar se nuk do ta votojnë buxhetin, duke thënë se Kosova mundet më mirë, dhe se buxhetet nga qeveria aktuale s’kanë lënë kurrfarë gjurmë.
“Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u caktua që ditën e hënë me 11 nëntor, të sillet për miratim buxheti për vitin 2025. Buxhetet e miratuara ndër vite nga qeveria aktuale, nuk kanë lënë kurrfarë gjurme, as në zhvillim, as në mirëqenie as në ekonomi. Duke qenë plotësisht të bindur se Kosova mundet më mirë, ne nuk do ta votojmë këtë buxhet. Shpresën, mirëqenien dhe angazhimin për ta bërë më mirë Kosovën, do ta reflektojë në buxhetin për vitin e ardhshëm, Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, me kryeministër Bedri Hamzën”, ka deklaruar Tahiri.
Krahas, PDK-së, pas mbledhjes së Kryesisë javën e kaluar, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kishte deklaruar se kjo parti nuk do ta votojë buxhetin pasi sipas tij, ai ka probleme ligjore dhe kushtetuese.
Buxhetin për vitin 2025 s’do ta votojë as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kështu ka njoftuar shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri.