“Dorëzimi i kryekriminelit Milan Radojçiq autoriteteve të Kosovës”.
Ky ishte njëri nga tri kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të paraqitura më 26 qershor 2024 në Bruksel, në mënyrë që ai të pranonte të takohej me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Dy kushtet tjera kishin të bënin me “nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023)” dhe “tërheqjen e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe intergriteti terroritorial i Kosovës”, shkruan Demokracia.com.
Deklarimi i Kurtit: https://www.facebook.com/rtklivecom/videos/1036829151199460/
Nga kërkesa për dorëzimin e Milan Radojçiqit, i cili i priu sulmit terrorist më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, Kurti nuk është tërhequr deri më tani. Madje, ai në një intervistë për “Bloomberg” vazhdonte të kushtëzonte dialogun. “Duhej të ndodhte dje”, deklaronte Kurti më 4 tetor 2024.
Por, ashtu si në çdo rast tjetër kur Kurti ka paraqitur ndonjë kushtëzim, i pari që nuk ka respektuar kushtet e vendosura prej tij është personalisht Kurti.
24 TETOR 2024 – TAKIMI I RADHËS PA DORËZIMIN E RADOJÇIQIT
Këtë të enjte, më 24 tetor 2024, në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut të Brukselit në nivelin e kryenegociatorëve, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit serb Petkoviç.
Sipas njoftimeve nga Qeveria e Kosovës, “në tërësi, fokusi i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit”.
Askund në këto njoftime nuk përmendet fakti se Serbia nuk ka bërë asnjë hap për dorëzimin e kriminelit Milan Radojçiq, i cili i priu sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
Në këtë mënyrë, kjo do të jetë hera e tretë që Bislimi do të udhëtojë në Bruksel, duke zhvlerësuar krejtësisht fjalën publike të kryeministrit Albin Kurti, i cili më 26 korrik 2024 vendosi tri kushte për zhvillimin e mëtejmë të dialogut me Serbinë.
26 QERSHOR 2024 – SJELLJA E ÇUDITSHME E KURTIT, PAS KUSHTËZIMIT TË DIALOGUT KONFIRMOI TAKIMIN E RADHËS
Është e çuditshme sjellja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili paraqiti kushtet në 26 qershor 2024, gjatë takimit me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Joseph Borrell dhe brenda të njëjtës ditë shkeli mbi këto kushtëzime.
Kjo ndodhi derisa Kurti po prononcohej para gazetarëve, duke paralajmëruar se pas disa ditësh të dy kryenegociatorët, Bislimi e Petkoviç, do të ftohen në Bruksel për takimin e radhës.
“Do të provohet në fillim të korrikut, me shumë gjasë me 2 korrik, ndërmjet dy kryenegociatorëve që do të diskutojnë mbi sekuencimin, por zbatimi i marrëveshjes e ka të domosdoshme respektimin e saj”, deklaronte Kurti, duke shkaktuar habi.
2 KORRIK 2024 – KRYENEGOCIATORI I KOSOVËS, BISLIMI SHKEL KUSHTET E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS
Ashtu siç paralajmëronte kryeministri Kurti, do të ndodhte më 2 korrik 2024, kur zëvendësi i tij, Bislimi kishte udhëtuar për në Bruksel, për procesin e dialogut.
Siç ishte konfirmuar nga Bashkimi Evropian, një prej çështjeve që do të diskutohej, ishte për hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes.
Në këtë mënyrë, Bislimi kishte shkatërruar propagandën e Kurtit që në publik paraqitet si kushtëzues i dialogut, derisa në realitet, ai nuk refuzon asnjë takim me palën serbe.
18 KORRIK 2024 – PA U DORËZUAR RADOJÇIQ, QEVERIA E KOSOVËS DORËZON KOMENTET PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES ME SERBINË
Në kuadër të dialogut të Brukselit, Qeveria e Kosovës kishte bërë një hap konkret në këtë proces, pasi që më 18 korrik 2024 kishte dërguar komentet për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe për Aneksin për zbatimin e saj (Ohër, 18 mars 2023).
Aktiviteteti konkret i Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut vinte në më pak se një muaj nga vendosja e tri kushteve nga kryeministri, Kurti.
17 SHTATOR 2024 – BISLIMI “HARRON” KUSHTET E KURTIT
Vetëm një javë para përvjetorit të parë të sulmit terrorist të udhëhequr nga Milan Radojçiq, zëvendësi i Kurtit, Bislimi, kishte udhëtuar për në Bruksel për takimin e tij të dytë pas kushtëzimeve të vendosura nga shefi i tij në Qeveri.
Pavarësisht kësaj, Bislimi kishte “harruar” krejtësisht kushtëzimin e dialogut duke zhvlerësuar krejtësisht fjalën publike të kryeministrit Kurti.