38
Sot u raportua se ka pasur një plan për të bërë atentat ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri sa po qëndronte për vizitë.
Pas këtyre raportimeve, Kurti u deklarua duke thënë se e kanë kërcënuar individë e struktura nga Beogradi, shkruan Demokracia.com.
“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura, të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo, unë porsa erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që kishte shumë forca policore të cilët u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup, me këto partitë socialdemokrate”, ka thënë Kurti.
Por, raportimet se ka pasur tentim për atentat ndaj Kurtit i mohoi Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së maqedonase, shkruan Euronews.
Përkundër se RMV e mohoi, nga Qeveria vazhduan me narrativën se kryeministri Kurti është kërcënuar.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, deklaroi se kërcënimet kanë lidhje me Beogradin.