Një ditë para se t’i përgjigjet fizikisht thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervistim, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielën e nisi me një takim me zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, Luka Mesec, në Lubjanë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Para kësaj vizite në Slloveni, menjëherë një ditë pas thirrjes për intervistim nga Prokuroria Speciale, Kryeministri Kurti ishte për vizitë zyrtare në Kroaci, ku takoi atje Presidentin Zoran Milloneviq, si dhe Kryeministrin Andrej Plenkoviq.
Por, nga kjo e dielë relaksuese për Kurtin duke pirë çaj me zëvendëskryeministrin slloven në Lubjanë të Sllovenisë, atij ditën e nesërme i duhet të paraqitet pranë Prokurorisë Speciale.
Të enjten e 12 dhjetorit, Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të kreut të saj, Albin Kurti, për të cilën zëdhënësi Përparim Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.
Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30.
Për paraqitjen apo jo të tij, Gazeta Online Reporteri.net, ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziun, por që i njëjti nuk është përgjigjur.
Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Për këtë rast, atë kohë ishte ftuar për intervistim edhe Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, në cilësinë e të pandehurës, por ishte mbrojtur në heshtje, ndërsa kishte pasur edhe të arrestuar, Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Në gushtin e vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte bastisur Ministrinë e drejtuar nga Rozeta Hajdari për skandalin me Rezervat Shtetërore, pas disa audio-incizimeve të publikuara nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendonin se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me rezervat e grurit.
Kryeministri Kurti po atë periudhë kohore i ishte drejtuar qytetarëve përmes një video lidhur me këtë rast, ku kishte thënë se 97 për qind e vlerës së blerë kishin arritur në Kosovë, dhe se s’kishte kurrfarë korrupsioni e se kishte besim në Ministren e tij, Rozeta Hajdari.