Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë ftuar konferencë për media, për të dhënë detaje mbi zhvillimet e reja rreth sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”, që ka prekur edhe fushën e energjetikës.
Përpara mediave, Kurti u shpreh se përgjatë dy ditëve të fundit janë ndërmarrë masa për të mbajtur përgjegjësit e sulmit në fjalë dhe për të rregulluar dëmin e shkaktuar, shkruan IndeksOnline.
Sipas tij, po të arrihej qëllimi i sulmit, pesha do të ishte e jashtëzakonshme.
“Po të arrihej qëllimi, ky sulm do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të energjisë elektrike, duke lënë pa rrymë qindra familje dhe pa ngrohje mijëra qytetarë të Prishtinës”, u shpreh Kurti.
Madje, sipas Kurtit, dëmi do të ndikonte në fabrika dhe në fushën e telekomunikimit. Miliona euro do të duhej të investoheshin në blerje të energjisë.
“Nuk ka qenë në pyetje uji, por edhe rryma. Nuk është vetëm rryma, por edhe ngrohja. Nuk është vetëm ngrohja, por edhe telekomunikimi. Qëllimi ka qenë që në fund të nëntorit të na lënë pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje e pa komunikim” , shtoi kryeministri.