Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do ta vizitojë zyrtarisht Maqedoninë e Veriut, pak ditë pasi në aeroportin e këtij shteti i poshtërua presidentja Vjosa Osmani.
Lajmin për Demokracia.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Kryeziu ka konfirmuar se Kurti do të takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet”, u shpreh Kryeziu.
Tutje, ai shtoi se realizimi i kësaj vizite është dakorduar më 20 korrik.
Kurti këtë vizitë po e realizon në kohën kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë acaruar pas incidentit në të cilën u përfshi presidentja Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.
Në lidhje me këtë, Kosova dërgoi notë proteste diplomatike ndaj Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kurti ende nuk ka reaguar për këtë incident, duke konfirmuar kështu krisjen e raporteve me presidenten Osmani.
Çka ndodhi në aeroportin e Shkupit?
Përgjatë kontrollit kufitar në Aeroportin e Shkupit (Maqedonia e Veriut), Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i ndodhi një rast i pazakontë që përfundoi me një incident mes palës kosovare dhe asaj maqedonase. Edhe pse rrethanat e plota ende janë të paqarta, rasti po cilësohet si një skandal dhe shkelje e imunitetit diplomatik.
Gjithçka besohet që ndodhi për shkak të telefonit të presidentes Osmani, edhe pse autoritetet e dy vendeve dhanë qëndrime të kundërta me njëra-tjetrën me lidhje me këtë çështje.
Rrëfimi i stafit të afërt të presidentes thotë se sigurimi i aeroportit ka tentuar ta shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani.
Përveç saj, thonë se duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, personeli i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani dhe çantën personale të dorës. Më pas për të hapur rrugën kishte reaguar Policia.