Akuzat për shpëlarje parash, shmangie nga tatimi, e mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, e kishin shtyrë presidenten Vjosa Osmani që të mos takohet me ambasadorin Martin Berishaj gjatë vizitës së saj zyrtare në Kroaci. Për dallim nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti “e mbajti afër” ambasadorin Martin Berishaj gjatë vizitës së tij në Bosnje e Hercegovinë.
Në gusht të këtij viti, me ftesë të Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, Vjosa Osmani kishte qëndruar në një vizitë pune në Kroaci.
Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani nuk ishte takuar me përfaqësuesin e Kosovës në Kroaci, ambasadorin Martin Berishaj.
Osmani kishte thënë se ishte vendimi i saj që të mos takohet me ambasadorin Berishaj, me arsyetimin se kjo ishte për “të mirën e të gjithëve”.
Disa muaj pas vizitës në Kroaci, presidentja Osmani kishte deklaruar se nuk kishte pranuar të takohej me ambasadorin Berisha për shkak të imazhit të politikës së jashtme të Kosovës.
““Nuk kam pasur komunikim me të, nuk e kam takuar. Nuk ka qenë me mua në vizitën e fundit (në Kroaci). Sepse kështu kam vendosur. Nuk ka pasur nevojë sepse e kam pasur stafin tim, dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës”, kishte deklaruar Osmani në Kallxo, transmeton Paparaci.
Gjithashtu, Osmani kishte deklaruar se në takime me ministren e punëve të jashtme kishte kërkuar që ambasadori Berishaj të tërhiqej nga detyra e tij.
“Unë dëshiroj që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë krye më vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheqë vet. Në takime të përbashkët që i kemi bërë, kryesisht Ministrisë së Jashtme”, kishte thënë Osmani në Kallxo, transmeton Paparaci.
Për dallim nga shefja e shtetit, kryeministri Albin Kurti i kishte dalë në mbrojtje ambasadorit Berishaj.
Kurti e kishte cilësuar si fushatë të egër raportimet kundër Martin Berishajn, të cilën e quajti si “profesor”.
“Shikoni, kjo është një fushatë e madhe që po zhvillohet e ku është edhe Serbia brenda. Nuk bën të zbrapsemi tash. Edhe profesor Martin Berishaj e ka dhënë shpjegimin e vet publikisht”, kishte deklaruar Kurti.
Sot, në vizitën e tij në Bosnje e Hercegovinë, kryeministri Kurti është parë nën shoqërinë e ambasadorit Martin Berishaj
Kurti nisi vizitën në Sarajevë më 5 dhjetor dhe gjatë qëndrimit në Bosnje do të mbajë edhe një fjalim në një konferencë për raportet rajonale që organizohet nga “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Gjatë takimeve që zhvilloi sot, Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadori Berishaj.
Vizita e Kurtit në Sarajevë është kundërshtuar nga kreu i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje, do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.
“Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik, sipas raportimit të Srnas.
Berishaj ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale me dyshimet për veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.