Gjatë mbrëmjes së sotme kanalet e “Ibër Lepencit” në veri të vendit janë sulmuar me një mjet shpërthyes.
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një prononcim për Indeksonline është shprehur dëmtimi është i rëndë dhe mund të ketë pasoja në mungesë të ujit në komuna gjithandej Kosovës.
“Është dëmtim i rëndë në kanalet e “Ibër Lepencit”. Natyrisht, ekipet e policisë, ato të “Ibër Lepencit” dhe zjarrfikësve janë në terren. Aktualisht është shumë herët më u bë vlerësimi i dëmeve. Më siguri deri nesër nuk mundemi me dalë me vlerësime sepse koha është e papërshtatshme, është natë, terr. Një gjë e dijmë: është dëmtim i rëndë i kanalit që mund të ketë pasoja në mungesë të ujit në komuna gjithandej Kosovës”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri, bëri të ditur se kishte vizituar edhe vendin e ngjarjes, ku edhe njoftoi se kishte biseduar me një familje serbe që kishte dëme materiale nga ky shpërthim.
“Unë isha në vendin e ngjarjes para gjysmë ore. Bisedova që kanë qenë në shtëpitë e rrezikuara. S’ka dëme në njerëz, ka dëme materiale në një shtëpi me banorë serbë. Unë bisedova drejtpërdrejt me ta”, tha Zeqiri.
Tutje Zeqiri, ka dënuar rëndë kërë akt terrorist.
“Ky është një akt i rëndë terrorist nga grupe terroriste. Dëmtimi i kanalit “Ibër Lepenc” është me pasoja jetike për Republikën e Kosovës dhe unë patjetër që e dënoj këtë sulm kaq të rëndë”, ka thënë Zeqiri.
Rastin e konfirmoi edhe kryeshefi i kësaj KRU-je, Faruk Mujka.
“Po. Këtë punë e ka marrë në kompetencë policia. Po, e kemi një dëmtim dhe për momentin e kemi ndaluar ujin dhe po këqyrim me e sanu sa më shpejt, sepse prej aty po lirohet edhe ujësjellësit edhe KEK-u. Kështu që, po këqyrim sa më shpejt me e rregullu këtë punë”, tha Mujka.
Incidentin për Indeksonline, është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, ku njoftuan se janë në teren duke hetuar rastin.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Mitrovica’, ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes, si pasojë e dëmtimit të një pjesë të kanalit të Ibër Lepencit.
Ndërsa kanë kërkuar nga qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.