Bregdeti i Shëngjinit është shndërruar në pikë referimi për turistët vendas dhe të huaj gjatë sezoneve verore.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga mbrëmja në shëtitoren e Shëngjinit e mbushur plot me qytetarë.
Shëngjini dhe Lezha vitet e fundit janë shndërruar në destinacione turistike shumë të kërkuara ku gjen plazhin, natyrën, historinë, kulturën, gastronominë, traditën dhe shpirtin mikpritës të banorëve.
Plazhet e Shëngjinit janë të njohura për rërën dhe ujin e ngrohtë. Një nga plazhet që tërheq vëmendjen e pushuesve është ai i “Ranës së hedhun”, por edhe plazhet e Kunes dhe Tales.
Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.
Rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe një trashëgimi e pasur kulturore, Lezha mund t’i ofrojë të gjitha në një paketë të plotë turistike.
Autoritetet në vend kanë raportuar se 6.3 milionë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë 7 muajve të këtij viti, ose 1.2 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.