Kryeministri Edi Rama, fton të gjithë diplomantët dhe profesionistët e marrëdhënieve ndërkombëtare të aplikojnë për të qenë pjesë e Misionit të Shqipërisë në Bruksel.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Rama bëri të ditur sot se skuadra e Shqipërisë në Bruksel do të rritet në numër dhe ekspertizë.

 

“Për të gjithë diplomatët e profesionistët e rinj të marrëdhënieve ndërkombëtare në vend apo ata jashtë vendit, të cilët janë angazhuar me institucione ndërkombëtare, për të aplikuar dhe konkurruar për t’u bërë pjesë e #TeamAlbania4EU në Misionin e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, ku përfaqësia jonë do të rritet në numër e në ekspertizë”, shkruan Rama.

Po ashtu, Rama ndau dhe një videomesazh të Adea Pirdenit, zv.Kryenegociatore me BE në MAPA.

Pirdeni thekson se “Administrate Publike Shqiptare dhe skuadra jonë e negociatave është gati për t’u përballur me të gjitha sfidat e mëdha që na presin përpara”.

“Por tani, më shumë se më parë kemi nevojë për ju, profesionistët më të mirë shqiptarë brenda apo jashtë vendit. Nëse jeni një ndër shumë ekspertët e Administratës Publike Shqiptare, ose vini nga një përvojë në shoqërinë civile, apo organizata ndërkombëtare, ejani dhe bëhuni pjesë e misionit të Republikës së Shqipërisë ne BE. Apliko dhe ti sot, që të jesh pjesë e ekipit kuqezi në Bruksel”, është mesazhi i Pirdenit.