Kryeministri libanez denoncoi të premten “ndërhyrjen flagrante” të Iranit pas deklaratave të një zyrtari iranian se Teherani është gati të negociojë një armëpushim në Liban dhe bëri thirrje që i ngarkuari iranian me punë të thirret në Bejrut, raporton AFP.
Është hera e parë që Najib Mikati, i cili mban marrëdhënie të mira me Hezbollahun pro-iranian të përfaqësuar në kabinetin e tij, miraton një qëndrim të tillë.
Pas një viti shkëmbimesh zjarri në kufi, Izraeli dhe lëvizja islamike Hezbollah janë tashmë në luftë të hapur në Liban, ku ushtria izraelite nisi një ofensivë tokësore në jug më 30 shtator.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, i cili udhëtoi për në Bejrut javën e kaluar, deklaroi në një artikull të botuar të enjten në mbrëmje në Le Figaro se Teherani është gati të negociojë me Parisin për një armëpushim në Liban.
“Ne jemi të befasuar nga ky pozicion, i cili përbën një ndërhyrje flagrante në çështjet libaneze dhe një përpjekje për të vendosur një kujdestari mbi Libanin që ne e refuzojmë,” tha kryeministri libanez në një deklaratë.
Ai saktësoi se i kërkoi ministrit të punëve të jashtme “të thërriste të ngarkuarin me punë” iraniane në Liban për t’i kërkuar “shpjegime” për këto deklarata.
Ambasadori i Iranit në Liban, Mojtaba Amani, u plagos në mes të shtatorit në një shpërthim pager, ashtu si qindra anëtarë të Hezbollahut në një operacion që i atribuohet Izraelit.
Kryetari i Parlamentit iranian pati një takim me Mikatin gjatë një vizite në Bejrut më 12 tetor, gjatë së cilës ai denoncoi “krimet” e Izraelit, i cili po kryen një fushatë goditjesh intensive në Liban dhe pushtime tokësore në jug.
Kryeministri libanez njoftoi gjithashtu se kishte informuar Galibaf, si dhe Ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, i cili kishte udhëtuar më herët në Liban, për “nevojen për të kuptuar situatën në Liban, e cila është subjekt i një agresioni të paprecedentë izraelit. “.
Ai theksoi se qeveria e tij “do të punojë me të gjithë miqtë e Libanit, përfshirë Francën, për të ushtruar presion mbi Izraelin në favor të një armëpushimi”.
Të paktën 1,418 njerëz u vranë në Liban pasi Izraeli përforcoi operacionet në Liban më 23 shtator, sipas një numërimi të AFP-së bazuar në të dhënat zyrtare, dhe më shumë se një milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.